Pensioni, shqetësimi më i madh i minatorëve karshi kushteve të vështira

Minatorët e Minierës së Trepçës po kërkojnë që t’iu njihet kontributi i tyre i punës pas vitit 1989 e deri kur filloi lufta në Kosovë në mënyrë që të marrin pension të plotë e jo vetëm të pleqërisë. Kështu ka thënë të enjten anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Minatorëve të Trepçës, Gani Osmani, në emisionin “SOT” të KTV-së.

Osmani ka thënë se për këtë kërkesë kanë bërë kërkesë te çdo qeveri, por siç thotë ai, s’ka pasur ndonjë rezultat. Theksoi grevën e vitit 1989 e cila u shndërrua në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

“Shqetësimi më i madh që ekziston është kjo. Minatorët që dalin në pension, nuk i njihet kontributi pas vitit ’89 dhe marrin vetëm pension të pleqërisë. Sa e rëndë për dikë që nga një pagë 700 euro të bie në 70-80 euro. Kemi menduar se qeveritë kanë me mendu për ne, kanë me na dhanë një pension të dinjitetshëm. Por ka ndodh e kundërta”, ka thënë ai.

Osmani gjithashtu bëri të ditur se kanë bërë kërkesë te Qeveria të marrin 50 euro shtesa sikurse sektori publik, mirëpo deri tani s’kanë ndonjë përgjigje.

Ish-kryetari i kësaj Sindikate tregoi edhe për kushtet e vështira në të cilat punojnë minatorët. Përmendi vdekjen e mbi 50 minatorëve nga sëmundjet profesionale dhe kushtet e këqija pa e mbërritur moshën e pleqërisë.

“Miniera e Trepçës i ka diku 750 punëtorë. Kushtet janë jashtëzakonisht të vështira. Vetë puna e tregon. Kemi aq kushte të vështira, saqë nga viti 2000, prej sëmundjeve profesionale dhe kushteve të këqija kanë vdekur 50 minatorë pa e arritur moshën e pleqërisë. Atje punohet në temperatura të larta, në lagështi të ajrit, pluhur e të tjera. Kushtet më të këqija që ekzistojnë diku janë minierat. Kjo s’ndodh në vendet në zhvillim”, shtoi ai.

Ai është i zhgënjyer me atë se si janë trajtuar minatorët nga çdo qeveri që ka udhëhequr vendin.

“Jemi duke punuar me makineri të vjetra e minatorët po plaken”, shprehet Osmani.

Kërkesa e tyre kryesore është pensionimi i parakohshëm, në moshën 50-vjeçare, dhe të paguhen me 70 për qind të pagës.