Të hyrat në Doganën e Kosovës kanë shënuar rënie rreth 30 milionë euro krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për shkak të pandemisë dhe uljes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Përderisa importi nga Serbia ka shënuar ngritje në muajin prill pas heqjes së takës 100 për qind.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se në kohën e pandemisë ka rënë importi i mallrave nga tekstili, automjeteve dhe produkteve luksoze, ndërsa kanë shënuar rritje importet mallrave ushqimore, farmaceutike dhe higjienike.
“Ne deri tani, në katër muajt e parë kemi mbledhur 311 milionë euro, derisa nëse krahasohet me vitin e paraprak kemi pasur 339 milionë euro. Ka rënie rreth 30 milionë euro më pak se viti i kaluar… Ndikimi kryesor në të hyra nuk do të thotë që ka qenë vetëm pandemia, por një faktor kyç është edhe rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare. Kjo ka ndodhur për shkak të qarkullimit më të vogël të automjeteve. Ndërsa ne nuk kemi parë rënie te produktet e ushqimore, përkundrazi kanë shënuar rritje në aspektin e importit ashtu siç janë rritur edhe produktet farmaceutike. Por, produktet e luksit në këtë kohë janë minimizuar në aspektin e importit”, theksoi Stavileci.
Zëdhënësi Stavileci ka treguar edhe për importet nga Serbia, kur sipas tij, nga ky vend Kosova ka importuar brenda muajit të fundit 13 milionë euro mallra të ndryshe kryesisht ushqimore.
“Kemi rritje prej Serbisë. Mund të themi që nuk është në parametrat qysh ka qenë para vendosjes së taksës, por muaj prill ka treguar që nga Serbia kemi sjellë rreth 12-13 milionë euro mallra, kryesisht produkte ushqimore, ku dominojnë mielli dhe gruri. Edhe nga Bonja ka nisur importi, por me një ritëm shumë më të ulët. Nga Bosnja kemi rreth 700 mijë euro import të mallrave deri në këto momente kur po flasim”, tha ai.
Produktet higjienike, ushqimore dhe farmaceutike, sipas Stavilecit, janë importuar më së shumti në kohën e pandemisë, ndërsa mallrat e tekstilit dhe automjeteve më së paku.
“Në aspektin e ndaljes kemi në sektorin e tekstilit. Ka rënë edhe importi i automjeteve. Nëse bëjmë një krahasim tek automjetet, në muajin prill të vitit të kaluar kanë qenë 1600 automjete të importuara brenda një muaj, ndërsa në prill të këtij viti kemi pasur vetëm 300. Dallimi është mjaft i madh. Ka disa fusha ekonomike që në këtë kohë pandemie nuk kanë funksionuar, dhe nuk kanë arritur të realizojnë shitje dhe si rezultat edhe nuk kanë bërë import”, pohon Stavileci.
Edhe në kohë pandemie nuk kanë munguar importet e mallrave nga Kina dhe Rusia, por shtetet e Bashkimit Evropian veçanërisht Gjermania mbetet importuesi më i madh në Kosovë, pasuar nga Italia dhe Franca.
Ndërsa, sa i përket eksportit të mallrave, Kosova ka eksportuar edhe në Serbi, ku që nga fillimi vitit e deri tani janë eksportuar mallra në vlerë rreth 7 milionë euro, derisa eksportet në përgjithësi në këtë kohë pandemie kanë stagnuar deri në një masë.