Lojtarët që do t’i mungojnë Botërorit “Katari 2022”

Jo çdo yll futbolli do të marrë pjesë në Kupën e Botës që nis më 20 nëntor në Katar. Disa emra të mëdhenj do të mungojnë në turneun në Katar për shkak të lëndimeve ose për shkak se vendet e tyre nuk u kualifikuan.

Erling Haaland

22-vjeçari Haaland ka pasur një fillim fenomenal në sezonin e tij të parë te Manchester City me 17 gola në 11 paraqitjet e tij të para në Premier League, por Norvegjia nuk arriti ta mposhtë Holandën në ndeshjen e fundit kualifikuese në Grupin G. Haaland, i cili kishte shënuar në barazimin 1:1 kur u takuan në Oslo, mungoi në ndeshjen vendimtare për shkak të një dëmtimi. Holandezët u kualifikuan si fitues të grupit me një fitore 2:0, ndërsa Norvegjia mbeti në vendin e tretë. Haaland ka 21 gola në 23 ndeshje për Norvegjinë, por duhet të presë të paktën deri në vitin 2026 që vendi i tij të arrijë në Kupën e Botës së parë që nga viti 1998.

Mohamed Salah

Salah, i cili fitoi “Këpucën e Artë” si golashënuesi më i mirë i Premier Leagues së bashku me Son Heung-min sezonin e kaluar, humbi një penallti kundër Senegalit që eliminoi Egjiptin nga plejofi i Kupës së Botës. Salah gjuajti mbi traversë dhe ish-shoku i skuadrës së Liverpoolit, Sadio Mane, shënoi penalltinë e fitores 3:1 të ekipit të tij. Ishte kjo një përsëritje e fitores së Senegalit me penallti në finalen e Kupës së Afrikës një muaj më parë. Këtë sezon, Salah ka shënuar katër gola në 12 ndeshjet e tij të para, ndërsa Liverpooli ka luftuar për fitore.

Paul Pogba

Paul Pogba e konfirmoi mungesën në turne këtë javë për shkak të problemeve të vazhdueshme në gjurin e djathtë. 29-vjeçari Pogba luajti një rol jetik në suksesin e Francës në Kupën e Botës katër vjet më parë, por ende nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon që nga ndeshja e tij e fundit zyrtare në prill. Pas kthimit në Juventus nga Manchester Unitedi, Pogba lëndoi meniskun gjatë turneut parasezonal të klubit italian në SHBA gjatë muajit korrik. Ai fillimisht vendosi të mos bënte një operacion, por më pas iu nënshtrua një operacioni në gjurin e djathtë në fillim të shtatorit. Agjentja e Pogbas, Rafaela Pimenta, tha të hënën se ai “ka nevojë për më shumë rehabilitim pas operacionit”.

N’Golo Kante

Kante nuk ka luajtur për klubin e tij apo vendin e tij që nga gushti, dhe Chelsea konfirmoi muajin e kaluar se mesfushori do të humbasë turneun ndërsa rikuperohej nga operacioni për një dëmtim të kërdhokullës. I konsideruar gjerësisht si një nga mesfushorët më të mirë në botë, Kante luajti një rol kyç së bashku me Pogban në garën e Francës drejt titullit të vitit 2018. Një tjetër mesfushor i Francës, Boubacar Kamara, tashmë është jashtë fushës për shkak të lëndimit.

David Alaba

Austria nuk u kualifikua në Kupën e Botës pas humbjes nga Uellsi në plejof. Gareth Bale shënoi dy gola në fitoren 2:1 që u dha fund shpresave të shokut të tij të Real Madridit për t’u paraqitur në turneun më të madh të futbollit për herë të parë. 30-vjeçari Alaba, i cili iu bashkua Madridit nga Bayern Muencheni në vitin 2021, ishte kapiten i Austrisë në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar, ku skuadra humbi nga Italia në 1/8 e finales, që më pas u shpall kampione.

Luis Diaz

Shpresat e Diazit për Kupën e Botës mbaruan edhe para se ai të lëndonte gjurin ndërsa luante për Liverpoolin, sepse Kolumbia përfundoi e gjashta në kualifikimet e Amerikës së Jugut. 25-vjeçari Diaz, i cili u bë menjëherë i preferuari i Liverpoolit pas transferimit të tij nga Porto në janar, ende nuk ka luajtur në një Kupë Botërore. Ai ka shënuar tetë gola në 37 paraqitje për Kolumbinë. Në turneun e Katarit, do të mungojnë edhe James Rodriguez dhe “El Tigre” Radamel Falcao.

Gianluigi Donnarumma

Ndoshta portieri më i mirë në botë nuk do të jetë në Kupën e Botës pasi Italia çuditërisht nuk arriti të kualifikohej në turne – përsëri. Donnarumma ishte lojtari i turneut kur ndihmoi Italinë të triumfonte në “Euro 2020”, por ai nuk ishte në gjendje të ndalonte golin e Aleksandar Trajkovskit në kohën shtesë për Maqedoninë e Veriut në plejofin e Kupës së Botës në mars. Italia, gjithashtu, nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2018 në Rusi. Donnarumma, i konsideruar si trashëgimtari i të madhit Gianluigi Buffon, do të ketë sërish shansin e tij. Pavarësisht se ka bërë tashmë 49 paraqitje për Italinë, ai është vetëm 23 vjeç.

Diogo Jota

Jota tha se “një nga ëndrrat e mia u rrënua” kur u konfirmua se ai do të humbasë Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi të pësuar në fitoren 1:0 të Liverpoolit ndaj Manchester Cityt më 16 tetor. Ai kishte humbur tashmë muajin e parë të sezonit për shkak të lëndimit. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, tha se Jotas do t’i duhen “muaj” për t’u rikuperuar. Shoku i skuadrës së Portugalisë, Pedro Neto, është gjithashtu jashtë fushës pasi pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë aktivizimit te Wolverhamptoni.