Ka nisur të premten testimi i radhës i qarkores njëkahëshe brenda qendrës së qytetit të Prishtinës.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar dy ditë më parë se testimi do të zhvillohet të premten, të shtunën dhe të dielën.
“Ju njoftojmë se, se nga dita e premte më datë 28 tetor deri të dielën më 30 tetor, vazhdon testimi i radhës i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet. Qarkorja njëkahëshe gjatë këtyre ditëve do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve: Rruga ‘Agim Ramadani’ që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rreth-rrotullimi prapa ndërtesës së Komunë, rruga ‘UÇK’ nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia, rruga ‘Migjeni’ deri te ndërtesa e ish-OSBE, rruga ‘Luan Haradinaj’ deri te semaforët pranë Bankës Qendrore, rruga ‘Ukshin Hoti’, dhe rruga ‘Robert Dolli’”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, qarkullimi për transportin publik në rrugët e mbyllura do të duhet të bëhet me shpejtësi minimale të lëvizjes.
“Rrugët e poshtë cekura do të jenë të mbyllura për automjete, me përjashtim të transportit publik, i cili do të qarkulloj në këtë pjesë me shpejtësi minimale të lëvizjes. Rruga ‘George Bush’ deri tek semaforët pranë Katedrales dhe rruga ‘Garibardi’ deri tek semaforët pranë rrugës ‘Dritan Hoxha’”, thuhet në njoftim.
Mëngjesin e së premtes testimi ka shkaktuar tollovi të shumta në qytet, duke u krijuar shumë kolona veturash.