Bislimi nga Merdara: Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka mbërritur në Merdar pasi u kthye nga autoritetet serbe pak para arritjes në Beograd, ku planifikonte të merrte pjesë në një konferencë.

Bislimi në konferencën për media të mbajtur nga kjo pikë kufitare, ka thënë se me vendimin e së enjtes për kthim prapa, Serbia dha sinjal që Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve.

“Sot dhe nesër është paraparë të isha pjesë e dy ngjarjeve në Beograd, dhe kemi pasur të parapara disa takime të tjera intervista për media në Beograd. Për këtë ne kemi paraqitur kërkesë para organeve qysh javën e kaluar dhe ka qenë e aprovuar dhe sot gjithçka ka qenë në rregull derisa na u tha se siguria ka qenë e cenuar që për ne është një sinjal që Serbia nuk është e gatshme drejt normalizimit”, ka thënë ai në konferencën për media.

Ai më tej tha se edhe pse kthimi i tij ndodhi “për arsye të sigurisë”, nuk është ndier i kërcënuar, megjithatë ka respektuar vendimin e autoriteteve.

“Ndalesa ka ndodhur diku 85 km para se të mbërrijë në Beograd. Ka pasur vonesa këtu dhe ka pasur deklarime që nuk do të lejohet një pjesë e vizitës sepse nuk është paralajmëruar nga organizatorët me kohë. Ata kanë treguar qasjen e tyre, por cila ka qenë prapavija nuk ja vlen të spekulojmë. Ne nuk jemi ndierë të kërcënuar, por kur autoritetet vendosin është problem që të themi se duam të vazhdojmë”, ka thënë ai.

Në Forumin e Sigurisë që pritet të mbahet të premten, Bislimi ka thënë se do të përpiqet të kyçet përmes “Zoom” ose “Skype”.

Kthimi i tij në Kosovë, ku tashmë është parë të ketë arritur në pikën kufitare me Serbinë, është bërë pasi atij iu pamundësua vizita në Beograd në një forum dhe konferencë për tema që kanë të bëjnë me të dyja shtetet.