Çka po ndodhë me Projektligjin për Pagat në Sektorin Publik, flasin nga MPB-ja?

Kanë kaluar më shumë se pesë javë që kur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte njoftuar se projektligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Projektligji për Zyrtarët Publik kanë dalë për diskutim në publik.

Në këtë ministri thonë se konsultimet publike kanë përfunduar. Megjithatë nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të procedohet për miratim në qeveri, Projektligji për Pagat në Sektorin Publik.

“Pas përfundimit te konsultimeve Publike, Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar komente nga shumë institucione, shoqëria civile, sindikatat dhe qytetarë. Këto komente janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë. Pas adresimit të komenteve, Projektligji do të dërgohet për vlerësim të ndikimit financiar si dhe për vlerësim të përputhshmërisë me acqui të BE-së. Pas përfundimit të këtyre procedurave, Projektligji do të procedohet në Qeveri për shqyrtim dhe votim”, ka thënë për Indeksonline, Nora Fetoshi zëdhënëse e MPB-së.

Kujtojmë se propozimi i këtij projektligji ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik, veçanërisht pasi parashihet ulja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.

Deri më tash ende nuk është bërë e ditur se sa do të jetë vlera e koeficienteve për të ditur saktë se sa do të jenë pagat për të punësuarit në sektorin publik.