Kush janë 9 diplomatët e lartë që mund të dëshmojnë pro Thaçit në Gjykatën Speciale?


Nëntë diplomatë të lartë pritet të dëshmojnë pro ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara të Hagës. Megjithatë, mbrojtja e Thaçit po kërkon që dëshmia e tyre të merret menjëherë, pasi ata janë në moshë të shtyrë dhe mund të vdesin. Kush mund të jenë këta nëntë diplomatë?

Diplomatë të lartë, figura ushtarake e ish-udhëheqës të misioneve ndërkombëtare në Kosovë gjatë kohës së luftës. Nëpër këto pozicione kanë qenë nëntë ish-zyrtarë të lartë, të cilët pritet të dëshmojnë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit në Hagë.

Megjithatë, për shkak të moshës së shtyrë e sidomos pas vdekjes së Madeleine Albright-it, avokati i Thaçit ka kërkuar që këta nëntë diplomatë të lartë të dëshmojnë menjëherë. Nëse do të realizohet një gjë e tillë apo jo, pritet të vendoset nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Kush janë diplomatët?

Në mesin e këtyre zyrtarëve të lartë, që do ta jepnin dëshminë e tyre pro Thaçit, me shumë gjasë, mund të jetë Dan Everts-i, ish-shef i misionit të OSBE-së në Kosovë në vitin 1999, raporton gazeta Nacionale.

Edhe pse emri i tij nuk i është konfirmuar gazetës për asnjë moment, deklaratat e tij bënin pjesë në listën e provave shfajësuese për Thaçin. Madje, pikërisht për deklaratat e Everts-it, mbrojtja e kishte akuzuar Prokurorinë se po i fsheh provat shfajësuese.

Për faktin që deklaratat e tij janë përmendur si prova shfajësuese, gjasat janë reale që ai të jetë gjithashtu në mesin e këtyre nëntë diplomatëve që pritet t’i japin dëshminë e tyre në Gjykatën Speciale.

Dan Everts-i njihet për deklaratën e tij tejet përkrahëse për ish-presidentin Thaçi. Në pasthënien e librit të tij, ““Lindja e një demokracie: Hashim Thaçi dhe rruga drejt pavarësisë së Kosovës”, Everts-i kishte folur për rolin që kishte Thaçi në urrejtjen ndër-etnike.

“Shembuj të suksesit të tillë janë të rrallë. Kjo u jetësua në masë të madhe nga Hashim Thaçi, i cili ua shpjegoi luftëtarëve të tij – të cilët vendosmërisht besonin se mund të integroheshin në një ushtri të rregullt – se më e mira që mund t’u ofronte ishte integrimi i 3,000 burrave në një forcë të re (Trupat Mbrojtëse të Kosovës, pa asnjë funksion ushtarak), plus 2,000 të tjerë rezervistë. Disa qindra të tjerë mund të trajnoheshin për t’u bërë policë, por pas një kohe dhe pas verifikimit. I vendosur ndërmjet çekanit dhe kudhrës, Thaçi duhej të manovronte me shkathtësi për të përmbushur angazhimet e tij dhe të mbetej i besueshëm në sytë e UNMIK-ut dhe KFOR-it, duke mbrojtur pozicionin e tij si shef i UÇK-së para luftëtarëve. Ai korri sukses në këtë sfidë, ndërsa në vende të tjera kjo do të kishte çuar në një cikël të ri të dhunës dhe madje edhe në luftë civile”, thuhej në pasthënien e librit të Dan Everts-it.

Duke ditur se avokati i Thaçit ka përmendur edhe figura ushtarake, të cilat kanë pasur funksione në NATO, nuk ka se si të mos përmendet edhe emri i Wesley Clark-ut si njëri nga dëshmitarët e mundshëm pro Thaçit.

Clark-u, që kishte qenë komandant i NATO-s, ka pasur kontakte tejet të shpeshta me Hashim Thaçin që nga koha e luftës.

Në vitin 2020, Clark-u kishte thënë se aktakuzat e Gjykatës Speciale janë tendencë për ta penguar ecjen përpara të Kosovës.

“Presionet dhe përpjekjet për ta nënçmuar Kosovën nuk janë ndalur kurrë”, kishte deklaruar gjenerali Clark.

Sa u përket aktakuzave të Gjykatës Speciale, gjenerali Clark deklaroi se nuk e ka idenë nëse ato janë të vërteta apo jo. Megjithatë, sipas tij, shihet se është një vazhdimësi e aktiviteteve që është mjaft e dukshme edhe 20 vjet pas.”

“Presidenti Thaçi ka qenë lider i UÇK-së, të cilin e kam takuar së pari në Rambuje, derisa vijonin negociatat, në shkurt të vitit 1999. Atje jam takuar edhe me udhëheqës të tjerë të UÇK-së”, tha Clark-u.

Një tjetër figurë ushtarake, që potencialisht mund të japë dëshmi në Gjykatën Speciale, është edhe Sir Michael David Jackson-i, komandant i parë i KFOR-it në Kosovë. Edhe pse nuk ka diçka të konfirmuar, Jackson-i gjithashtu kishte pasur kontakte me Thaçin qysh nga koha e luftës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Jackson-in e kishte dekoruar edhe me medalje në vitin 2016.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, kishte thënë gjenerali Sir Michael David Jackson.

Gjithashtu, gjenerali Sir Jackson i ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999.

“Edhe pse ato ditë të rënda e shënuan fillimin e këtij progresi, atëbotë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, kishte shtuar ai.

Këta janë vetëm tre nga emrat e mundshëm që mund të japin dëshmi në Gjykatën Speciale, ku po akuzohen ish-krerët e UÇK-së. Asnjëri nga emrat nuk është i konfirmuar, por, duke i parë raportet me ish-presidentin dhe kontributin e këtyre emrave në kohën e luftës, potencialisht secili mund të jetë në listën e avokatit të Thaçit.

“Këta nëntë dëshmitarë ndërkombëtarë ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata kanë bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional, ashtu edhe në disa raste edhe personal,” thuhet në letrën e avokatit të Thaçit.

Kur do të merret vendimi?

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe, më 7 tetor ka dërguar kërkesë, ku ka theksuar se dëshmia e nëntë diplomatëve duhet të dëgjohet menjëherë, sepse ata janë në moshë të shtyrë dhe rrezikojnë të vdesin, njëjtë si rasti i dëshmisë së ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeline Albright.

Gjykata Speciale, në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka thënë se nuk ka një afat për të vendosur rreth kësaj kërkese.

“Në parashtresën e tyre të datës 7 tetor 2022, mbrojtja e Thaçit kërkon nga gjyqtari i procedurës paraprake që të lejojë dëshminë e dëshmitarëve të veçantë para gjykimit për shkak të moshës dhe gjendjes fizike të këtyre dëshmitarëve. Për këtë parashtresë i takon gjyqtarit të procedurës paraprake. Nuk ka një afat specifik”, thuhet në përgjigje.

Avokati i Thaçit ka kërkuar që një anëtar i trupit gjykues, ose në tërësi gjyqtarët, të zgjidhen menjëherë, që të dëgjojnë këto dëshmi. Sipas rregullores në Speciale, një gjë e tillë është krejtësisht e lejuar.

Tashmë vendimi nëse këta diplomatë do të dëgjohen menjëherë ose jo, është krejtësisht në dorën e gjykatësit të procedurës paraprake.