Kurti: Udhëheqësja e vërtetë e LDK-së është Vjosa Osmani

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se partia që ai drejton në zgjedhjet e ardhshme duhet të dalë ‘më shumë se e para’, duke kërkuar kështu që të arrijë të fitojë më shumë se gjysmën e vendeve në Kuvend, në mënyrë që të mos ketë koalicion qeverisës sikur në rastin e fundit me LDK-në.

Në një emision në RTSH, Albin Kurti nuk ka folur direkt nëse si parti synojnë të fitojnë 51 për qind të votave nëse mbahen zgjedhjet e reja ashtu sikurse po këmbëngulë Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje, përveç se duhet të dalë e para, duhet të dalë edhe më shumë se e para, pasi kur bëhet fjalë për luftimin e krimit dhe korrupsionit të tjerët po bëhen bashkë kundër nesh. Ne nuk iu kemi vënë vijë të kuqe LDK-së, por lidershipi i kësaj partie kaloi këtë vijë të kuqe dhe kaloi në anën tjetër”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, udhëheqësja e vërtetë e LDK-së është Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, “e cila këtë parti e ngriti nga pozitën e dytë në nivel vendi, por që paralajmëroi se me qasjen e tanishme kjo parti sërish do të renditet e treta”.