Qeveria e Kosovës deklaroi se asociacionet që karakter themeltar kanë etninë, bien ndesh me Kushtetutën e vendit.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i tha KOHËS, se komunitetet jo-shumicë kanë nevojë për integrim, e jo për izolim.
“Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim”, tha ai.
Sipas Kryeziut, Qeveria e Kosovës i mbron dhe respekton ligjet e Kushtetutës.
“Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”.
Mesditën e së enjtes, KOHA publikoi “draftin gjerman” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Sipas këtij drafti, Asociacioni është entitet i ligjshëm i krijuar në vijë me Marrëveshjen e parë dhe Kushtetutën e Kosovës. Drafti i cili përmban 17 nene parasheh që ky Asociacion do t’i ketë 10 komuna me mundësi zgjerimi.
Një vit pas funksionalizimit, statuti i tij mund të shqyrtohet nga Qeveria.
Sipas draftit, janë disa objektiva kryesore të Asociacionit: Forcimi i demokracisë lokale, mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale dhe ajo e edukimit. Ndër funksionet që përfshin drafti është edhe mundësia e bashkëpunimit me shtete e operatorë ekonomikë të rajonit, përfshirë të Republikës së Serbisë në fushën e ekonomisë lokale, edukimit e shëndetësisë.