“Vuçiqi planifikon të japë dorëheqje shkaku i Kosovës”

Gazeta serbe “Danas” shkruan të shtunën se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po planifikon të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’ia lënë dikujt tjetër të vendos sanksione ndaj Rusisë dhe po ashtu për dialogun me Kosovën.

Danas citon Dragan J. Vuçiçeviq, kryeredaktor i “Informer” të ketë thënë se bashkëpunëtorë të Vuçiqit i kanë dhënë informacione se presidenti po planifikon të dorëhiqet.

“Ai planifikon të japë dorëheqjen për të lënë që ‘dikush tjetër’ të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë pavarësinë e Kosovës. Në një situatë ku presioni ndaj Serbisë për t’u tërhequr është rritur, këto dy lëvizje do të ishin aq të mëdha sa shteti nuk mund t’i mbështesë”, ka thënë Vuçiçeviq.

Ai ka kërkuar nga Vuqiçi që të mos e bëjë këtë, duke thënë se një vendim i tillë është i keq për interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë.

Siç tha ai, Serbia ka qenë i vetmi vend në Evropë që prej 231 ditësh nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke thënë se kjo është një fitore e shtetit.

“Përderisa Vuçiqi është president, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk do ta njohë shtetin e rremë të Kosovës”, tha Vuçiçeviq.

Siç shkruan “Danas” nw rast se Vuçiqi jep dorëheqje, ai zëvendësohet nga kryetari i Asamblesë Kombëtare për maksimum tre muaj. Gjatë zëvendësimit, kryetari është i autorizuar të përfaqësojë Republikën e Serbisë brenda dhe jashtë vendit, të marrë letrat e tërheqjes dhe kredencialet nga përfaqësuesit e huaj diplomatikë, të shpallë zgjedhjet për Asamblenë Kombëtare, të propozojë kandidatët për kryeministër në Kuvendin Popullor, për të ushtruar kompetenca në fushën e mbrojtjes së Republikës së Serbisë dhe për të komanduar ushtrinë serbe.

Shtetet kryesore evropiane si Franca e Gjermania e po ashtu edhe SHBA-ja e kanë rritur presionin ndaj Kosovës dhe Serbia që të arrijnë një marrëveshje, për ta përmbyllur procesin e dialogut i cili ka nisur në vitin 2011.

Derisa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht pohon se paqja në rajon do të arrihej vetëm nëse dialogu do të përmbyllej me njohje reciproke, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, vazhdimisht deklaron se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.