Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë identifikuar 17 raste të reja me COVID-19, nga të cilët 11 janë raste të kontakteve të mëparshme.
Në raportimin e përditshëm për publikun, Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik bëri e dije se numri total i të prekurve me COVID-19 në Shqipëri shkoi në 820.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për persona të dyshuar me COVID-19 dhe prej tyre rezultojnë 17 raste pozitive. 11 të prekur janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitivë me COVID-19, ndërsa për 6 të prekur po vijon hetimi epidemiologjik në terren. Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 820 qytetarë. Aktualisht janë 219 persona aktivë me COVID-19. Siç shihet, ka një rritje të rasteve në 24 orët e fundit, jo vetëm në numrin e rasteve të identifikuara por edhe shtrimet në spital janë shtuar”, bëri me dije Fico.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.