Qepët e shijshme italiane që mund t’i hani të gjalla


Ngrënia e një pjate me qepë zakonisht nuk i plotëson dëshirat apo ëndrrat e askujt për ushqim, mirëpo ekziston një varietet i shijshëm dhe i veçantë italian që mund të bëjë që edhe ata që janë kundër saj të ndryshojnë mendje.

Çdo javë Francesco Calabro drejton kamionin e tij nga Kalabria në Romë për të shitur qepë të kuqe që rriten përgjatë bregdetit rreth Tropeas, një qytet në majë të shkëmbinjve në skajin jugor të Italisë.

Klientët e tij romë çmenden për këto qepë: krokante, jashtëzakonisht të ëmbla dhe delikate. Më e rëndësishmja, nuk të bëjnë të qash aq sa qepët e zakonshme kur prehen në feta, shkruajti CNN-i të shtunën.

Në Tropea, qepët quhen “ari i kuq i Kalabrisë” dhe thuhet se kanë më shumë përfitime shëndetësore sesa qepët e zakonshme. Vendasit pretendojnë se qepët kanë një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore, nga luftimi i pleqërisë deri tek të vepruarit si afrodiziak.

“Kardiologu im thotë se mënyra më e mirë për të shmangur problemet e zemrës është duke ngrënë qepë të kuqe, së bashku me spec djegës dhe duke pirë verë, për të ndihmuar qarkullimin e gjakut. Ka qenë antibiotiku ynë natyral prej shekujsh”, ka thënë Calabro.

Sipas traditës, marinarët fenikas importuan qepët e kuqe nga Azia Qendrore në Kalabri, 4.000 vjet më parë. Sot, qepët Tropea – të cilat kanë statusin e produkteve të mbrojtura gjeografike, ose IGP, rriten në një shtrirje prej 96 km të bregdetit kalabrez që shkon nga qyteti i Amantea deri në gadishullin Capo Vaticano, poshtë Tropeas.

Por çfarë i bën këto qepë kaq të veçanta dhe unike?

Klima e butë bregdetare me temperatura konstante gjatë gjithë vitit, ditët me diell dhe flladi verior që vjen nga kodrat me pamje nga bregu krijon një mikroklimë. Toka pjellore, që përmban rërë nga plazhet e Tirrenit, është një nxitës natyror.

“Është ky habitat i veçantë, së bashku me sasinë e lartë të ujit që përmbajnë qepët e kuqe, gjë që i bën ato më pak agresive kur ato priten në feta dhe jo aq irrituese për syrin e njeriut”, ka sqaruar Giovanni Schiariti, një kultivues i qepëve të kuqe Tropea, i cili 40 vjet më parë ishte ndër themeluesit e një rrjeti që fitoi statusin IGP të zonës.

“Nuk do të derdhësh lot si bebe”, thotë ai.

Ngjyra dalluese e kuqërremtë është sepse ato janë të pasura me anthocyanine – pigmente bimore me ngjyra plot me antioksidantë, shpjegon Michele Pugliese, e cila zotëron një restorant në Tropea.

Shija e ëmbël nuk është për shkak të sasive më të larta të sheqerit, por për shkak të më pak përbërjeve kimike të acidit piruvik dhe përbërësve të squfurit që normalisht i bëjnë qepët të mprehta.

Ajo që i bën ata të mrekullueshëm nuk është vetëm shija, por dhe mënyrat e ndryshme që mund të gatuhen dhe shijohen.

Qepët tropea hahen ose të papërpunuara, të këputura direkt nga parcela, ose si sallatë me qepë me perime të tjera. Fermerët ende hanë drekë me qepë të kuqe ndërsa punojnë në ara.

Qepët janë po aq të shijshme në brusketa me vaj ulliri ekstra të virgjër, të shërbyera me fasule ose të pjekura ose të skuqura në një omëletë me patate, një pjatë tipike e drekës së Pashkëve në zonë.

Ato hahen në çdo kohë të ditës në mënyra të ndryshme dhe pothuajse kanë zëvendësuar hudhrën në përgatitjen e pjatave. Ka edhe pica me qepë të kuqe, reçel dhe akullore të karamelizuara dhe ëmbëlsira me qepë të kuqe.