Institucionet relevante për monitorim të tregut, përfshirë këtu Inspektoratin e Tregut, janë duke monitoruar në terren keqpërdorimet potenciale të çmimeve të pajisjeve efiçiente të energjisë, të cilat janë duke u subvencionuar nga Ministria e Ekonomisë.
Që në hartim të masave të Subvencionimit të pajisjeve efiçiente, Ministria e Ekonomisë është duke punuar ngushtë me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila ka në mbikëqyrje Inspektoratin e Tregut. ME ka kërkuar gjithashtu angazhimin e Autoritetit të Konkurrencës, që ka kompetencë për të hetuar dhe për të parandaluar kartelet dhe keqpërdorimin e pozitës dominuese.
Kjo ka për qëllim sigurimin e zbatimit të efektshëm të masave të subvencionimit, duke parandaluar ngritjen e çmimeve të pajisjeve, për të mbrojtur qytetarët si përfitues të subvencionit si dhe buxhetin e shtetit.
Ministria e Ekonomisë fton qytetarët që në rastet kur vërejnë manipulime me çmimet, ose parregullsi të tjera, që të raportojnë rastet te Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes faqes https://konsumatori.rks-gov.net ose numrit të telefonit pa pagesë: 0800 11 000.