Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka bërë të ditur se në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të premten do të paraqes Rezolutë për ndaljen e presionit dhe cenimit të të drejtave të punëtorëve në Administratën shtetërore.
Kështu ka bërë të ditur Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
“Ndalja e presionit dhe cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore dhe ndërhyrjeve në kompetencat dhe autonominë e komunave. Ekzekutimi i pagave, nisja e dialogut me partnerët social në gjetjen e zgjidhjes për kërkesat e punëtorëve, përmes shtesave dhe Ligjit për Pagat”, ka thënë Tahiri.
Lidhur me mosekzekutimin e pagave, në seancën e sotme pikë e parë e rendit të ditës është interpelanca e ministrit të Financave, Hekuran Murati.
Greva në sektorin publik e cila ka nisur më 25 gusht, është pezulluar më 1 tetor nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Pavarësisht pezullimit, mësimdhënësve nuk u janë transferuar ende në llogaritë e tyre bankare pagat e muajit shtator.