SBASHK-u: Pagat ende s’kanë dalë, ka presion ndërkombëtar ndaj ministrit Murati


Reshit Kushaj, kryetar i Këshillit Grevist të SBASHK-ut ka thënë se deri më tani ende nuk janë proceduar pagat e muajit shtator për mësimdhënësit.

Megjithatë, ai u shpreh se ende janë në pritje që deri në ora 23:00, i cili është afati i fundit për procedimin e rrogave, të ndodhë një veprim i tillë nga ana e ministrisë së Financave.

I kontaktuar nga Paparaci, Kushaj theksoi se ka presion ndërkombëtar ndaj shefit të kuletës kosovare që t’i procedojë sa më shpejt pagat për mësimdhënësit, të cilët deri më 1 tetor ishin në grevë.

“Deri më tani ende nuk kanë dalë rrogat. Jemi në pritje. Ta shohim deri në ora 23:00, pasi unë nuk jam ekspert i ekonomisë por ta shohim. Sot është afati i fundit për procedimin e pagave”.

“Ministri Hekuran Murati ka presion ndërkombëtar dhe vendor, po ashtu edhe nga shoqëria civile që t’i procedoj pagat për mësimdhënësit”, shtoi ai.

Mes tjerash, ai tregoi se nëse nuk procedohen pagat ditën e sotme, atëherë do të mblidhen kryesia e SBAShK-ut për t’i shikuar hapat e mëtutjeshëm.

“Nëse nuk dalin pagat sot, atëherë ne natyrisht që do të mblidhemi dhe do të vendosim për hapat e rinj. Do të bëhet publike gjithçka”, vijoi Kushaj.

Për çështjen e pagave ka pasur reagime të shumta edhe nga partitë opozitare, të cilët kanë kërkuar që ministri Murati menjëherë t’i ekzekutojë pagat për punëtorët e sektorit e arsimit.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka njoftuar se pagat do të dalin vetëm për ata që punojnë, duke nënkuptuar se për grevistët nuk do të ketë paga nga ana e shtetit.

Sidoqoftë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka publikuar një vendim për kompensimin e orëve të humbura gjatë shtatorit, teksa është shprehur se i ka propozuar Ministrisë së Financave, që të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans për mësimdhënësit që do të respektojnë këtë vendim.

“Duke qenë të bindur se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e Vitit Shkollor dhe do të kryejnë punën, dhe duke marrë parasysh faktin se shumë prej tyre janë vënë në lajthitje ose kanë pasur paqartësi rreth dispozitave ligjore, i kemi propozuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të shqyrtojnë mundësinë e pagesës në avans, ashtu që familjet e mësimdhënësve, të mos mbesin pa paga deri në fund të muajit, kur edhe dalin pagat për muajin tetor”, shkroi Nagavci, me anë të një postimi në Facebook të martën.

Sipas vendimit, tetë orë mësimore të pambajtura për nxënësit nga klasa e parë deri në të tetën do të zëvendësohen gjatë të shtunave. Ndërkaq, gjysmëvjetori i parë për nivelin parauniversitar do të përfundojë më 27 janar dhe pushimi dimëror do të nisë më 30 janar dhe do të zgjasë deri më 3 shkurt të vitit 2023.

Gjysmëvjetori i dytë për vitin shkollor 2022-2023 do të nisë më 6 shkurt dhe pesë ditët e mbetura mësimore do të mbahen gjatë pushtimit pranveror “në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar”.

Viti shkollor do të përfundojë në data të ndryshme për nivelin e arsimit parauniversitar. Maturantët do ta përfundojnë vitin shkollor më 5 qershor, klasët e nënta, dhjeta dhe njëmbëdhjeta më 27 qershor dhe parafillorët më 30 qershor të vitit 2023.

Sektori i arsimit ishte në grevë nga 25 gushti deri më 1 tetor, duke kërkuar nga 100 euro çdo muaj për mësimdhënësit. Sindikalistët në arsim, dhe ata të administratës publike, pezulluan grevën deri në janar të vitit të ri.

Grevistët e arsimit kanë thënë se nuk do të kompensojnë orët e humbura, sepse sipas tyre, kompensimi nuk parashihet me Ligjin për greva.

Rrjedhimisht, gjer më tani, punëtorët e arsimit që kanë qenë në grevë ende nuk i kanë marrë pagat për muajin e shtatorit.