Në mesin e rreth 150 kosovarëve, të shtunën në Kosovë është kthyer edhe 26-vjeçari nga Gjilani.
Agon Musliu dyshohet se ka vdekur pasi ka rënë nga kati i 5-të në Qendrën Studentore, e cila po shërben si karantinë për 14 ditë për personat që vijnë nga shtetet e tjera.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se do të zbardhen rrethanat e vdekjes së këtij të riu.
Vitia ka thënë se e ka menduar edhe dorëheqjen.
Janë të paktë ata që të shtunën janë kthyer nga Gjermania dhe janë futur në karantinim, raporton KOHA.
Sekretari i ministrisë se Shëndetësisë, Naim Bardiqi, ka deklaruar se ata që nuk janë karantinuar kanë deklaruar se kanë probleme shëndetësore, ose kanë qenë të moshuar dhe janë udhëzuar për vetizolim.
Ai ka thënë se prej momentit kur ka arritur në Kosovë, i ndjeri nuk ka deklaruar ndonjë sëmundje.
Në media ka qarkulluar një dokument, në të cilin thuhet se Musliu kishte vërtetim që ka probleme shëndetësore.
Por, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj kësaj informate.
Kanë thënë se dokumenti që po qarkullon është i Ambasadës së Kosovës në Gjermani dhe se i gjithë dokumentacioni dëshmon se 26-vjeçari nuk ka deklaruar asnjë lloj sëmundje tek institucionet e Kosovës.
Kurse, ushtruesi i detyrës se ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se hetuesia do ta këtë prioritet hetimin e këtij rasti.
“Dua t’ju informoj që në pajtim me kompetencat e mia, kam kontaktuar drejtorin e Policisë dhe kam kërkuar angazhim maksimal të Policisë në hetimin e këtij rasti. Ju siguroj që të gjitha masat që janë në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të ndërmerren pa asnjë hezitim. Me këtë rast i bëj thirrje Prokurorisë që ta trajtojë këtë rast me prioritet absolut dhe shpresoj që rastet e këtilla të mos përsëriten”, ka thënë ai.
Prokuroria e Shtetit përmes një komunikate ka thënë se është duke u hetuar ky rast, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.
26-vjeçari, Agon Musliu, në muajin mars kishte shkuar në Gjermani për studime postdiplomike.
Të shtunën ai është kthyer për shkak të situatës me COVID-19. Por rreth 24 orë pas, dyshohet së është hedhur nga kati i 5-të në Qendrën Studentore. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.