Heqja e taksës rriti importet nga Serbia dhe Bosnja

Zëdhënësi i Doganës së Republikës së Kosovës, Adriatik Stavileci tha në RTK se Kosova ka pasur rreth 450 milionë euro brenda vitit para vendosjes së taksës ndërsa tani kemi rreth 13 milionë për muajin e parë që është hequr taksa.

Ai po ashtu tha se lajm i mirë është që tani edhe Bosnja ka filluar të ketë një prezencë prapë me produkte të saj në tregun e Kosovës.

“Nëse shikojmë vlerën e importit nga Serbia para se të hyj taksa prej 100% në fuqi ne kemi pasur rreth 450 milionë euro brenda vitit, që nënkupton në aspektin mujor 30 deri 35 milionë importe të produkteve serbe drejt Kosovës. Ndërsa tani  kemi 12-13 milionë për muajin e parë që është hequr taksa. Kjo paraqet një ulje të vlerave të importit nga Serbia, nëse shihen dy periudha, e tashme e normalizuar dhe periudha para taksës. Derisa për momentin ne kemi rritje të vazhdueshme të importit nga Serbia por lajm tjetër i mirë është që edhe Bosnja ka filluar të ketë një prezencë prap me produkte të saj në tregun e Kosovës”, tha ai.

Stavileci tha se nga heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit vetëm dy deri në tri dërgesa kanë qenë më problematike ndërsa tani momentin të gjithë emërtimet e Kosovës në dokumentet në raport me tregtinë me Serbin, të gjitha dokumentet të cilat neve na dorëzojnë janë duke u bazuar në emërtimin kushtetues apo emërtimin në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Duke filluar prej datës 1 prill kur ka hyrë vendimi i Qeverisë për heqjen e tarifës 100% dhe futjen e masave të reciprocitetit, kemi futur të gjithë këta parametra të ri dhe në një farë forme kemi pasur telashe me reciprocitet vetëm ditë e para, dy deri në tri dërgesa kanë qenë më problematike derisa për  momentin të gjithë emërtimet e Kosovës në dokumentet në raport me tregtinë me Serbin, të gjitha dokumentet të cilat neve na dorëzojnë janë duke u bazuar në emërtimin kushtetues apo emërtimin në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kosova edhe në raport me MSA-në edhe në raport me CEFTA-në ka një emërtim të veçantë, realisht janë iniciale që ato shkruhen jo vetëm të Kosovës por janë të të gjitha shteteve në botë”, tha ai.