Pas festimit me shqiponjën dykrenore nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në Kampionatin Botërorin “Rusia 2018”, fitorja e bujshme e Zvicrës ndaj Serbisë u bë një çështje e vogël. Në Zvicër, në FIFA dhe veçanërisht në Serbi, veprimi i futbollistëve që festuan golat me atë veprim, shkaktoi shumë diskutime dhe indinjatë. Dy përfaqësueset do të takohen sërish në Botërorin “Katari 2022”. Do të përballen më 2 dhjetor në kuadër të fazës së grupeve në “Stadium 974”. Megjithatë, festimi i golit nga ana e futbollistëve shqiptarë me shqiponjën dykrenore nuk duhet të jetë më problem atje.
E përgjegjësinë për të siguruar se nuk do të ketë festë të tillë edhe në Katar e ka marrë drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami. Menjëherë pas shortit të grupeve për Botërorin e Katarit më 1 prill të këtij viti, Tami dhe delegacioni zviceran takuan trajnerin e Përfaqësueses së Serbisë, Dragan Stojkoviq.
“Ai na tha: ‘Është dëshira jonë e përbashkët që kjo lojë të jetë e gjitha për futbollin’”, tha Tami.
Në muajin maj të këtij viti, presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc, dhe sekretari i përgjithshëm, Robert Breiter, u takuan më pas me homologët e tyre nga Federata e Futbollit të Serbisë. Gjatë bisedës, serbët përsëritën se ekipi serb do të merret vetëm me futbollin në ndeshjen që do të luhet në Katar. Megjithatë, është e paqartë nëse fansat dhe politikanët gjithashtu do t’i përmbahen asaj që thanë zyrtarët e federatës serbe. Në fakt, Xherdan Shaqiri ishte fyer gjatë gjithë ndeshjes që Zvicra e kishte luajtur me Serbinë në vitin 2018.
“Nuk duam të bëjmë më të njëjtat gabime. Ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër. Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar”, insistoi Tami.
Pra, a do të thotë kjo se Tami ka vendosur përfundimisht ndalimin e festimit të futbollistëve shqiptarë me shqiponjën dykrenore.
“Nuk duhet të ketë as fjalë, as gjeste dhe as sjellje të përgjithshme që provokojnë ndjeshmëri të tjera. Kur brohorasim, është për të treguar gëzimin tonë, kjo është e rëndësishme. Por ne nuk duhet të jemi provokues”, u shpreh Tami.
Edhe në vitin 2014, ka pasur një njoftim të ngjashëm nga zyrtarët e federatës zvicerane. Granit Xhaka kishte postuar më herët një fotografi në Instagram ku shoqëruesit e tij formonin me duar shqiponjën dykrenore shqiptare. Ndërsa, më herët, mesfushori Xhaka kishte festuar me një gjest të tillë me fanellën e skuadrës së Borussia Moenchengladbachut.
Festim sikurse të Xhakës, kishte bërë edhe ish-bashkëlojtari i tij te Zvicra, Pajtim Kasami, por me fanellën e skuadrës së Olympiacosit nga Greqia. Kjo çështje u pati trajtuar më pas në një takim në hotelin ku ishte e vendosur Përfaqësuesja e Zvicrës dhe u deklaruar si çështje e zgjidhur. Mirëpo, shqiponja dykrenore “fluturoi” përsëri në vitin 2018.
Xhaka dhe Shaqiri ishin gjobitur nga UEFA me nga 10 mijë euro për festimin me shqiponjë në fitoren ndaj Serbisë, pasi organi evropian i futbollit kishte thënë se kishin shkelur rregullat e ferplejit duke shtuar se gëzimi i lojtarëve ishte spontan dhe lidhet me historinë e tyre. /Blick/