Vitia rreth vdekjes së 26 vjeçarit: Ai kishte mbërritur në karantinë 24 orë para ngjarjes tragjike

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia  ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për rastin e vdekjes së një 26 vjeçari nga Gjilani pasi kërceu nga kati i 5 i Konvikteve të shndërruar në karantinë.

“Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit. Çdo supozim i parakohshëm që ne mund të bëjmë tani, do të ishte mungesë përgjegjësie, do të ishte shtim i dhimbjes për familjen”, tha Vitia.

Adresimi i Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia në konferencën e sotme për media

Prishtinë, 4 maj 2020

Të nderuar qytetarë, të nderuar gazetarë,

Me hidhërim të thellë, me ndjenjën më të lartë të ngushëllimit dhe të respektit për dhimbjen e madhe të familjes, po ju adresohem sot në këtë konferencë për media.

Kurrë nuk do të kisha dashur, jo veç unë, po asnjë mjek e asnjë politikan nuk do të ishte dashur të fliste për një ngjarje të rëndë e tragjike, si ajo që ndodhi dje, kur humbi jetën i riu nga Gjilani.

Ai kishte mbërritur në karantinë 24 orë para ngjarjes tragjike, pasi është kthyer nga Gjermania ku kishte shkuar për të ndjekur studimet.

Kjo fatkeqësi na ka prekur të gjithë ne anëtarëve të stafit në Ministri dhe stafin mjekësor.

Ngjarja pikëlluese më ka prekur shumë thellë edhe mua personalisht.

U bënë rreth dy muaj me këtë atmosferë pandemie dhe kërcënimi prej virusit.

Ka një kohë të gjatë me trysninë e masave mbi jetët tona, mbi përditshmërinë tonë. Një kohë e gjatë me kufizimin e lëvizjes, të punës dhe me detyrimin e mbylljes. Nuk është as qetësuese dhe as e lehtë mbyllja.

Por, masat kanë qenë të detyrueshme, e i kemi ndërmarrë si në të gjitha vendet e tjera, duke u bazuar në kërkesat e specialistëve të fushës, Organizatës Botërore të Shëndetësisë me të vetmin qëllim mbrojtjen e qytetarëve tanë.

Dje kur po ndërtonim raportin mbi të dhënat pozitive që po vinin ditët e fundit nga Instituti u njoftua për këtë ngjarje tronditëse.

Ne, si institucion, sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara, dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit.

Por, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale. Dhe se do të zbardhet në detaje çdo e dhënë që lidhet me rastin. Prej aranzhimit të udhëtimit nga Ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në Aeroport dhe shoqërimit në Qendrën e Studentëve.

Pra, duke filluar prej Ambasadës së Kosovës në Berlin e deri te stafi administrues i Qendrës së Studentëve.

Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të vendosë në prioritetet e saj hetimin e plotë të rastit. Çdo supozim i parakohshëm që ne mund të bëjmë tani, do të ishte mungesë përgjegjësie, do të ishte shtim i dhimbjes për familjen.

E nderuar familje!

Ne bashkëndjejmë me dhimbjen tuaj, dhe do të jemi pranë jush.

Jemi të ndërgjegjshëm që në raste të tilla fjalët dhe ngushëllimet nuk mjaftojnë. Hidhërimi e pikëllimi juaj, është edhe i yni.

Të dashur qytetarë, të nderuara media. Shumë e dashur familje e dhe të afërm të të ndjerit.

Të bëhemi të fortë në këto çaste dhe t’i ofrojmë mbështetjen tonë atyre që kanë nevojë.

Të kujdesemi për secilin e të mos hezitojmë në asnjë rast të kërkojmë ndihmën e institucioneve, nëse ndihemi të rënduar nga rrethanat apo vështirësitë.

Na duhet forca, që ta mundim pandeminë dhe vuajtjet që lë ajo pas.

Të jemi më pranë njëri-tjetrit, e sigurisht edhe pranë familjes, e cila sot përjeton një dhimbje të madhe.

Edhe një herë, ngushëllimet tona!