Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse, ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetmë të Ligës së Kombeve, raporton Ekonomia Online.
Giresse është shprehur i shqetësuar për problemet e fundit që iu shfaqën atij para ndeshjeve të shtatorit.
Mërgim Vojvoda dhe Leart Paqarada do të mungojnë për ndeshjet ndaj Irlandës së Veriut dhe ndaj Qipros.
Dhe, trajneri francez ka zbuluar se shpejt do të ftojë lojtarë të rinj në vend të dy mbrojtësve të krahut.
“Sjellja e lojtarëve të rinj është strategjia e këtij grumbullimi. Si në muajin qershor, fatkeqësisht po përballemi me mungesa, kryesisht për shkaqe lëndimesh, por edhe për shkaqe të tjera. E vajtojmë faktin se në fundjavën e fundit janë lënduar disa lojtarë. Ne na mbetet t’i zëvendësojmë ata në mënyrën më të mirë të mundshme”.
“Lista fillestare ka mbërri në 27 lojtarë. Pastaj, kjo listë është reduktuar në 23 lojtarë shkaku i lëndimeve që ndodhën së fundmi. Do ta shohim se cila është mënyra më e mirë për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Do të shohim se në cilat pozita duhet të ndërhyjmë. Është pak problematik zëvendësimi pasi lojtarëve të tjerë ju mungon përvoja”.
Giresse ka njoftuar se mesfushori qendror, Uran Bislimi ka refuzuar ftesën e FFK-së për t’u bashkangjitur me kombëtaren A.
Bislmi ishte më herët pjesë e Kosovës për grupmoshat U-21, por ai ka refuzuar ftesën për tu bashkuar me kombëtaren A.
“Bislimi, i cili ishte pjesë e U-21, ka refuzuar në fund të luaj me kombëtaren A, rastin është i njëjtë sikurse me Kurtulus”, ka thënë selektori Giresse.
Giresse zbuloi se ka pasur kontakte me dy futbollistë të njohur: Mërgim Berisha dhe Elvis Rexhbeçaj, por të cilët kanë hezituar të bashkohen me “Dardanët”.
“Nuk është gjithmonë e lehtë, çka mendoni ju se bëjmë ne? Pa dyshim se i ftojmë, i kontaktojmë lojtarët e caktuar. Mos mendoni se gjithmonë i kemi dyert e hapura dhe se na mirëpresim. Kurtulus më ka thënë ‘e kam zgjedhur Suedinë dhe jam i lumtur’. Çka mund të bëj më shumë unë?”, deklaroi Giresse në konferencë për shtyp.
“Në momentin që këta lojtarë na mbyllin derën, nuk merremi më me ta. Tash do të shohim të merremi me ata që do të kemi punë, e jo me ata që na kanë refuzuar. Pa dyshim, ne na interesojnë ata lojtarë që duan të vijnë. Thjesht, s’kemi mbërri deri në atë pikë për ta pasur një përgjigje po ose jo”.