Ministria e Shëndetësisë deklarohet për vdekjen e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e një personi sot në Qendrën e Studentëve.

Ata përmes një komunikate për media kanë thënë se personeli mjekësor i karantinës, ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë ndihmën e parë viktimës.

“Sot më 3 maj, 2020, në ora 17:16 ekipi menaxhues i Karantinës në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është njoftuar nga një zyrtar i Policisë së Kosovës në Qendrën e Studentëve se një person është gjetur në oborrin e Konviktit Nr. VII, me dyshim se ka rënë nga kati V-të. Menjëherë personeli mjekësor i Karantinës së Qendrës së Studentëve ka shkuar në vendngjarje dhe i ka dhënë personit në fjalë ndihmën e parë si dhe e ka njoftuar emergjencën”, thuhet në njoftim.

Siç njoftohet, në vendin e ngjarjes personi është reanimuar nga ekipi mjekësor i Karantinës deri në arritjen e autoambulancës me ekipin mjekësor, të cilët, gjithashtu, kanë vazhduar me reanimim edhe gjatë transportimit të tij për në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

“Personi ka vazhduar të reanimohet edhe në Klinikën Emergjente nga ekipet kujdestare, të cilët e kanë vazhduar kujdesin e avancuar. Për fat të keq, me gjithë përpjekjet e mjekëve në Klinikën e Emergjencës, personi nuk ka mbijetuar. Organet e hetuesisë janë duke u marr me sqarimin e rrethanave të vdekjes. Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhjen e thellë për këtë rast tragjik dhe u shpreh familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre”, thuhet në njoftim.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se viktima ishte student në Gjermani.

“U trondita me lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të 26-vjeҫarit, A.M, i cili ishte student i shkëlqyer i masterit, në Gjermani. Humbje e madhe për familjen e për Gjilanin. Komuna e Gjilanit do t’i qëndrojë afër familjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar ai.