Barcelona ka ngjallur irritim te tifozët e saj, pasi u zbulua se uniforma e dytë për sezonin 2023-2024 do të jetë e bardhë, shumë e ngjashme me atë të… Realit të Madridit.
Kjo në fakt nuk do të jetë hera e parë që në historinë mbi 100 vjecare të klubit përdoret një “camiseta blanca”, edhe pse kjo nuk do të thotë që kjo ngjyrë nuk është vlerësuar kurrë nga tifozët blaugrana.
Teknikisht në fakt, uniforma në vitet e para të egzistencës së skuadrës katalanase ishte një fanellë e bardhë me pantallonat blu, deri sa u shfaq uniforma blaugrana në 1913 me të bardhën që u kthye në një alternativë. Uniforma krejtësisht e bardhë është përdorur për shembull nga Johan Cruyff me shokë në cerekfinalen e Kupës Uefa kundër Aston Villa në sezonin 1977-1978 në Villa Park të Birmingham. Në stol ajo Barcelonë drejtohej nga legjendari Rinus Michels.
Gjithsesi rivaliteti i madh me Realin e Madridit, bëri që kjo ngjyrë të hiqej krejtësisht duke adoptuar të verdhën për uniformat në transfertë të Barcelonës. Dueli me “Los Blancos” përgjatë viteve u bë gjithnjë e më i ndezur, dhe në 2019 u zbulua se klubi kishte refuzuar një fanellë të bardhë për sezonin 2020-2021. Nuk dihet se çka ndodhur që tani Barcelona të pranojë modelin e bardhë, edhe pse tifozët nuk janë aspak të kënaqur nga ky vendim.