Greva e punëtorëve të KEK-ut do ta rëndojë edhe më shumë situatën


Kryesindikalisti i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka thënë se situatën e rëndë si shkak i grevës së punëtorëve të sektorit publik, do ta rëndojë edhe më shumë mbajtja e grevës së paralajmëruar nga punëtorët e KEK-ut.

I ftuar të hënën në emisionin SOT në KTV, Llumnica tha se beson që do të plotësohen kërkesat e kësaj sindikate, ndër të cilat veçohet rritja e pagave.

“Ne nuk kemi dëshirë të bëjmë protesta e greva. Në realitet, në Korporatën Energjetike të Kosovës asnjëherë nuk është mbajtur grevë prej punëtorëve, kjo do të jetë e rëndë për arsye se ne po e shohim grevën në sektorin publik që po mbahet, por është shumë më e rëndë nëse bëhet grevë në KEK. Sërish po besoj se do të realizohen kërkesat tona, do të respektohet Ligji i Punës. Rritja e pagave është e domosdoshme për shkak të inflacionit që po ndodhë”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për pakënaqësitë e punëtorëve sa i përket pajisjeve mbrojtëse, Llumnica ka shtuar se kjo korporatë po përballet me mungesë të punëtorëve.