Kanë mbetur disa detaje të vogla që Milot Rashica ta kompletojë huazimin njëvjeçar te Galatasaray.
Rashica, që është pjesë e Norwichit në Championship, do bëhet lojtari i pestë me prejardhje shqiptare që do ta veshë fanellën e gjigantit turk.
Për herë të parë, një lojtar shqiptar që veshi fanellën e Gallatas dhe la gjurmë në historinë e klubit, ishte mesfushori Xhevat Prekazi. Prekazi luajti në Turqi nga viti 1985 deri në vitin 1991. Pati 185 paraqitje dhe ishte realizator i 40 golave.
Pas tij, një tjetër mesfushor, Fahredin Duraku, ishte pjesë e 22 herë kampionit të Turqisë. Për të s’ka të dhëna sa ndeshje ka luajtur, por ishte pjesë e klubit vetëm gjatë sezonit 1992/93.
Lorik Cana gjithashtu luajti për një sezon me Galatasarayn. Në sezonin 2010/22, Cana regjistroi 24 paraqitje dhe shënoi një gol.
Për dy sezone (2014-2016) fanellën e klubit të vetëm turk me trofe evropian e veshi edhe Blerim Xhemaili. Xhemaili s’pati aventurë të suksesshme, teksa luajti vetëm 11 herë.