Trajnime të reja për investime në energji të ripërtërishme nga GROW

Projekti GROW (Green Recovery and Opportunity Window) i zhvilluar dhe financuar nga Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe Millennium Foundation Kosovo (MFK) vazhdon me trajnime dhe asistencë teknike falas për bizneset kosovare që duan të investojnë në energji të ripërtërishme dhe eficiencë të energjisë.

Për të marrë pjesë në trajnime dhe për të përftuar asistencë teknike falas, bizneset mund të aplikojnë përmes  www.growkosovo.com.  

“Bizneset në Kosovë po përballen dita-ditës me zinxhir problemesh që sjell furnizimi jo i qëndrueshëm me energji elektrike. Ndërprerja e punës shkakton humbje të mëdha për bizneset dhe i bën ato më pak konkurrente në treg. Duke shtuar këtu edhe luhatjen e çmimeve të energjisë elektrike, të gjitha këto i shtyjnë bizneset drejt prodhimit vetanak të energjisë. Projekti GROW po zbatohet në kohën më të qëlluar që t’i ndihmojë bizneset t’i kuptojnë detajet teknike po edhe financiare të investimit në energji diellore. “ – u shpreh Rozafa Ramadani Mavriqi, specialiste e zhvillimit të sektorit privat në MFK. 

Asistenca teknike përmes GROW përfshin fillimisht trajnim falas asociacione të bizneseve, banka komerciale, ose biznese individuale. Në vijim të trajnimit, nëse kompanitë shprehin interesim për të investuar në energji të ripërtërishme ose efiçiencë të energjisë, ekipi teknik i projektit GROW vazhdon asistencën e personalizuar për nevojat e kompanisë. 

Aspekt tjetër i asistencës është mundësia lehtësuese e financimit të investimit përmes garancisë kreditore- dritares GROW– Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbërta, ofruar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) .  Dritarja GROW ofron siguri dhe qëndrueshmëri për bizneset duke mundësuar që rrjedha e parasë në biznes të mbetet e paprekur. Investimi bëhet përmes kredisë bankare dhe dizajnohet në atë mënyrë që kësti i kredisë për investime në panele diellore të jetë i përafërt me shumën e faturës së energjisë. 

“GROW fton të gjitha asociacionet e bizneseve, bizneset individuale, dhe bankat të kontaktojnë ekipin e projektit GROW për të përshpejtuar investimet në energji efiçiente dhe energji të ripërtërishme, ashtu që bizneset kosovare të pavarësohen në aspektin e furnizimit me energji”, shtoi Rozafa Ramadani Mavriqi. 

Projekti GROW është pjesë e programit ‘Peizazhi i Energjisë së Qëndrueshme’ që implementohet nga Fondacioni i Milleniumit i Kosovës (MFK), subjekti implementues i ‘Marrëveshjes së Pragut’, me vlerë $49 milion, e arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). ‘Programi i Pragut’ adreson dy çështje kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimin e dobët të ligjit.