Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Këshillit Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ku diskutuan për situatën e rëndë në të cilën po kalojnë mësimdhënësit dhe shërbyesit civilë, për shkak të vendimit arbitrar të Qeverisë Kurti për mosekzekutim të pagave për muajin gusht.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi duke kritikuar Qeverinë për qasje autoritare dhe diktatoriale, tha se kjo sjellje arrogante ndaj mësimdhënësve dhe zyrtarëve publikë, është e paparë në historinë e vendit tonë.
“Nuk ka ndarje mes prindërve dhe mësimdhënësve. Mësimdhënësit janë prindërit tanë. Mësimdhënësit janë prindër po ashtu. Dyert e shkollave me 1 shtator i ka mbyllur Albin Kurti, nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit. Sepse, Albin Kurti si kryeministër i ka pasur të gjitha mundësitë, që duke dialoguar më sindikalistët të gjejë zgjidhje, të ofrojë mundësi në këtë krizë të jashtëzakonshme ekonomike, të cilën po e kalojnë të gjitha familjet e Kosovës”, theksoi lideri i PDK-së.
Krasniqi tha se askush nuk ka të drejtë t’i ndalë pagat e sindikalistëve, aq më pak në këtë periudhë kur familjet kosovarë po përballen me rritje të çmimeve dhe mungesë të energjisë elektrike.
“Mosekzekutimi i pagave është vepër penale, është shkelje ligjore. Sot Qeveria e Albin Kurtit me minsitrin Hekuran Murati i kanë privuar rreth 45 mijë familje prej pagave të tyre”, shtoi Krasniqi.
PDK kërkon nga Qeveria që t’i kthehet dialogut të mirëfilltë dhe t’i ftojë sindikalistët për të diskutuar për një marrëveshje, si dhe t’i ekzekutojë pagat e zyrtarëve publik, mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që janë duke u sanksionuar.
Në të kundërtën, Krasniqi tha se PDK do të inicojë seancë të jashtëzakonshme për të mundësuar kthimin e ligjshmërisë në vend.
“Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të iniciojmë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të inicojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera, të cilat do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend. Le ta din Albin Kurti që kurrë nuk ka me guxu as nuk ka me u leju me e kthy Kosovën në diktaturë”, theksoi kryetari i PDK-së.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se takimi me liderët e partive politike parlamentare, vjen si rezultat i pamundëisë së dialogut me Qeverinë Kurti për 9 muaj radhazi.
“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial. Veprimet e tilla kanë tendencë që të shtypen dhe të heshten sindikatat. Kur sindikatat janë të shtypura dhe të heshtura, atëherë një shtet nuk mund të jetë demokratik”, tha Jasharaj.