Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot (e martë) me filim në ora 15:00 do të takojë kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku e atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti, për takim të martën nga ora 15:00.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka quajtur të vonuar ftesën, por ka thënë se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën, prandaj e pranon atë. Në shkrimin e tij ku e ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e së martës të ftuar nga kryeministri, Albin Kurti, lideri i LDK-së në opozitë ka shkruar se ka pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut.
“Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier, sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, ka shkruar Abdixhiku. Sipas kreut të LDK-së publiku kosovar mbetet ende i painformuar mbi këtë proces, siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Kosovës, raporton RTKlive.
Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti për takim. Këtë qëndrim të tij, Haradinaj e publikoi në llogarinë e tij në Facebook.
“I jam përgjigjur pozitivisht ftesës së Kryeministrit Kurti, për një bashkëbisedim lidhur me takimet e fundit që janë zhvilluar në Bruksel”, shkroi Haradinaj. “Për mua dhe Aleancën, çështja e dialogut për njohje, gjithmonë ka qenë çështje mbipartiake”. Më tej, ish kryeministri i Kosovës, u shpreh se këtë përcaktim e ka pasur edhe gjatë kohës sa e ka udhëhequr qeverinë e vendit.
Ndërkaq lideri i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se mbetet i hapur dhe i gatshëm për t’u takuar kur do të diskutohet për arritjen e marrëveshjes finale.
Ai ka thënë se qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.