Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e ka pranuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurtit për takim.
Ai është shprehur se po e pranon këtë ftesë, ani ky e konsideruar me vonesë.
“Ftesa e Kurtit vjen me vonesë, por meqë besoj se çështjet kombëtare duhet të jenë mbi politikën ditore, do ta pranoj këtë ftesë.Kam pritur një proces më transparent dhe më gjithëpërfshirës rreth procesit të dialogut. Deri më tani, informimin e vetëm dhe të detajuar, LDK e ka pranuar vetëm nga aleatët ndërkombëtarë – të cilët në vazhdimësi i kanë qëndruar Kosovës në krah. Në këtë drejtim, dua të falënderoj në veçanti të dërguarin amerikan për Ballkan z. Escobar, ambasadorin amerikan në Prishtinë z. Hovenier; sikurse dhe të dërguarin e BE-së z. Lajçak. Në takime me ta, kam rikonfirmuar mbështetjen e plotë për masat e reciprocitetit; sikurse kam dhënë mbështetjen e plotë për vet procesin e dialogut”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se publiku kosovar është ende i painformuar për procesin e dialogut, përcjell Klankosova.tv.
“Publiku kosovar ndërsa, mbetet ende i painformuar mbi këtë proces; siç mbetet i painformuar edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës. Dy javë pas takimit në Bruksel, kryeministri ka zgjedhur të informoj spektrin politik në vend. Këtë qasje të mbyllur e kemi kritikuar gjithherë edhe kur ky kryeministër ndante opozitën me ne”, shkroi ai në Facebook.
Tutje ai u shpreh se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj.
“Qëndrimi ynë për dialogun është i qartë dhe i pandryshueshëm. Ne besojmë se dialogu është interes kombëtar i Kosovës, dhe jo prioritet i fundit, siç besoj ta ketë mësuar kryeministri tashmë. Besojmë se nëpërmjet dialogut Kosova duhet të arrijë drejt marrëveshjes finale me njohjen reciproke në thelb të saj. Po ashtu, besojmë se dialogu i copëzuar, për tema teknike e jo për kornizën e gjithmbarshme, është në interes të Serbisë edhe atëherë kur arrihen fitore të pjesshme për ne”.
“Sot Kosova duhet të ulet e insistojë për marrëveshjen finale, me SHBA-të dhe BE-në si garantuese të saj. Është detyrë e kryeministrit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese në përmbylljen e këtij procesi vital për shtetin tonë. LDK do të mbështesë çdo marrëveshje finale që plotëson të tri kriteret e padiskutueshme: 1) respektimin e plotë të Kushtetutës së Kosovës; 2) ruajtjen e integritetit territorial të vendit; dhe 3) sigurimin e njohjes reciproke. Këtë qëndrim do t’ia bëjë të qartë kryeministrit Kurti”, thuhet tutje në postimin e tij.