Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka njoftuar se kanë hyrë në grevë të përgjithshme, për shkak të mos realizimit të kërkesave të tyre për mbështetje prej 100 eurove.
Derisa në grevë kanë hyrë çerdhet publike, administrata, ka sindikata që po e kundërshtojnë mbajtjen e grevës.
Kryesia e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka bërë të ditur se nuk do t’i bashkohet grevës së përgjithshme të paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Përmes një njoftimi për media FSSHK thotë se punëtorët shëndetësorë tashmë marrin shtesat prej 60 euro dhe nuk është në interes të tyre të futen në grevë për 40.
“Kryesia e FSSHK-së në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me datë 25.08.2022 pas shqyrtimit të situatës si dhe paralajmërimit të SBASHK-ut dhe Administratës për fillim të Grevës së Përgjithshme, del me qëndrim kundër Grevës respektivisht nuk i bashkëngjitet Grevës për shkak se kërkesat nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor sepse punëtorët shëndetësor e gëzojnë shtesën prej 60 euro dhe nuk është arsye e mjaftueshme FSSHK të merr veprime sindikale siç janë Grevat për 40 euro gjithashtu se Ligji i Pagave është proceduar për miratim në Qeveri dhe priten konsultime rreth tij, Kryesia vendos që t’i hap rrugë dialogut për vërejtjet dhe kërkesat e punëtorëve shëndetësor ti realizojë nëpërmjet dialogut me komisionet përkatëse si dhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës” njofton FSSHK.
FSSHK thotë se duke pasur parasysh edhe situatën politike duke mos përjashtuar mundësinë e veprimeve sindikale, konsideron se për momentin nuk ka asnjë arsye madhore për grevë.
E në grevë është arsimi, një javë para fillimit zyrtar të vitit shkollor.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të enjten ka takuar mësimdhënësit e Komunës së Prishtinës.
MASHTI, përmes llogarisë zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se në takim është bashkëbiseduar për çështje të ndryshme në arsim, përfshirë fillimin e vitit të ri shkollor.
Nagavci ka thënë se MAShTI thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ministrja foli edhe për Projektligjin për paga, i cili është në diskutim paraprak, angazhimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, ndarjen e buxhetit për mësimdhënësit me probleme shëndetësore dhe çështje të tjera të rëndësishme, si dhe veprimet të cilat janë ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes në arsim.
Ajo i informoi mësimdhënësit për përmirësimin e infrastrukturës ligjore, përfshirë këtu Ligjin për tekste shkollore, Ligjin për AKA, Ligjin për arsimin e lartë dhe disa ligje tjera.
Sipas një njoftimit të MAShTI-t u diskutua edhe për përmirësimin e infrastrukturës në shkolla dhe pajisjen e tyre me kabinete, laboratorë e salla sportive.
E lidhur me grevën në arsim, të enjten ka folur edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj.
Ai në një deklaratë për media në ditën kur filloi greva në sektorin publik tha se nuk do të lëshojnë pe dhe se nëse është e interesuar Qeveria e Kosovës mund të realizojë kërkesën për 100 eurot.
Jasharaj gjatë vizitës në një çerdhe në Prishtinë tha se çmimet janë rritur këtë vit shumë, ndërsa pagat nuk kanë lëvizur që nga viti 2018.
“Qeveria e Kosovës me dasht mundet t’i realizojë kërkesat tona, e jo të vajtojë, po mbesin fëmija rrugës, pa shkollë, e qytetarët pa nxjerr dokumente. Që sot, e të shtunën e të dielën, qeveria le të ulet me ne dhe të arrijë marrëveshje të pranueshme. Situata do të qetësohet.. Nëse jo, ne jemi në rrugë të Zotit. S’kemi pas rrugë tjetër”, tha ai, raporton Telegrafi.
Jasharaj më tej shtoi se e dinë si ndihen mësuesit, pasi një jetë të tërë e kanë kaluar në arsim.
“Të dorëzohemi nuk e kemi mendjen… e kemi zgjedhur rrugën që na e thotë ligji, të shkojmë në grevën e përgjithshme. Ne nuk do të lëshojmë pe, ju betohem para mediave e kolegëve të mi. Uroj që qeveria të këndellet, të fillojë bisedat dhe me zgjedhjen e kërkesave tona, që janë legjitime”, tha ai.
Kryetari i SBASHK-ut, tha se kanë shkuar me kërkesën 100 euro, pasi sipas tij, nëse do të kërkonin më shumë Qeveria do të arsyetohej se nuk kanë mjete financiare.
“Kemi shkuar në shumën që do të ndihmonte pak për 86 mijë të punësuarit në sektorin publik”, tha ndër të tjera Jasharaj.