Ballkani ka shkruar histori të futbollit kosovar. Kampioni i Kosovës do të luaj në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Ballkani suksesin historik e ka arritur në debutim në skenën evropiane.
Ballkani është vetëm ekipi i dytë shqiptar që paraqitet në fazën grupore në kupat evropiane.
Në plejof, Ballkani e kaloi Shkupin, kampionin e Maqedonisë së Veriut.
Pas fitores 2:1 në Shkup, Ballkani të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” fitoi 1:0 ndaj Shkupit. Me rezultatin 3:1, avancoi në fazën grupore.
Golin e fitores e shënoi Meriton Korenica në minutën e 69-të. Ballkani prej minutës së dytë luajti me një lojtar më shumë në fushë. Me karton të kuq u ndëshkua mbrojtësi i Shkupit, Abdulla Xhelili, që ndërhyri në mënyrë të palejuar në Albion Rrahmanin. Xhelili ishte lojtari i fundit.
Ballkanin tani e presin të paktën edhe gjashtë ndeshje evropiane. Kundërshtarët e fazës grupore i mëson menjëherë të premten.