Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj sot në një deklaratë për media në ditën kur filloi greva në sektorin publik tha se nuk do të lëshojnë pe dhe se nëse është e interesuar Qeveria e Kosovës mund të realizojë kërkesën për 100 eurot.
Jasharaj gjatë vizitës në një çerdhe në Prishtinë tha se çmimet janë rritur këtë vit shumë, ndërsa pagat nuk kanë lëvizur që nga viti 2018.
“Qeveria e Kosovës me dasht mundet t’i realizojë kërkesat tona, e jo të vajtojë, po mbesin fëmija rrugës, pa shkollë, e qytetarët pa nxjerr dokumente. Që sot, e të shtunën e të dielën, qeveria le të ulet me ne dhe të arrijë marrëveshje të pranueshme. Situata do të qetësohet.. Nëse jo, ne jemi në rrugë të Zotit. S’kemi pas rrugë tjetër”, tha ai, raporton Telegrafi.
Jasharaj më tej shtoi se e dinë si ndihen mësuesit, pasi një jetë të tërë e kanë kaluar në arsim.
“Të dorëzohemi nuk e kemi mendjen… e kemi zgjedhur rrugën që na e thotë ligji, të shkojmë në grevën e përgjithshme.
Ne nuk do të lëshojmë pe, ju betohem para mediave e kolegëve të mi. Uroj që qeveria të këndellet, të fillojë bisedat dhe me zgjedhjen e kërkesave tona, që janë legjitime”, tha ai.
Kryetari i SBASHK-ut, tha se kanë shkuar me kërkesën 100 euro, pasi sipas tij, nëse do të kërkonin më shumë Qeveria do të arsyetohej se nuk kanë mjete financiare.
“Kemi shkuar në shumën që do të ndihmonte pak për 86 mijë të punësuarit në sektorin publik”, tha ndër të tjera Jasharaj.