Në 20 vjetorin e themelimit të AAK-së, kreu i kësaj partie Ramush Haradinaj ka thënë se kjo parti ka qenë pjesëmarrëse e të gjitha proceseve që ka kaluar Kosova.
Ai tha se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e respekton vendimin e gjykatës kushtetuese.
“Tani politika dhe të gjithë i obligohemi institucioneve të gjyqësorit. Aleanca respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sillet në përputhje të plotë me këtë vendim. Pra ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese me përpikëri”, theksoi ai.
Haradinaj para medieve ka folur edhe për rrugëtimin 20- vjeçar të partisë së tij. Sipas tij, AAK ka qenë subjekt i rëndësishëm në shtetbërjen e Kosovës.
Ai ka thënë se AAK është e shquar për konsistencën e saj duke qëndruar fuqishëm në mbrojtjen e interesave nacionale e shtetërore të Kosovës, duke u rreshtuar në kursin e vlerave demokratike e pro perëndimore.