Janë zhvilluar të shtunën dy ndeshje në kuadër të javës së dytë në Albi Mall Superligë. Drita ka shijuar fitoren e parë në këtë edicion, pasi para tifozëve të vet e ka mundur Dukagjinin, me rezultat 1:0.
Golin e vetëm në këtë duel e ka shënuar sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski, në minutën e 59-të. Për Dukagjinin kjo ishte humbja e dytë, pasi në hapje të kampionatit u mposht në shtëpi nga Prishtina.
Lojë shumë më interesante u zhvillua në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Trepçës’89, e cila në fund u mbyll baras 2:2. Llapjanët shënuan të parët me golin e Adem Maliqit, në minutën e 26-të. Megjithatë, “minatorët” e përmbysën rezultatin në pjesën e dytë me dy golat e Albion Pllanës, në minutat 74-t dhe 80-të, duke e shfrytëzuar epërsinë numerike në fushë, ngase në minutën e 69-të Benjamin Emini u ndëshkua me karton të kuq.
Mirëpo, në minutat e fundit mysafirëve iu kushtojë një pakujdesi në repartin e mbrojtjes, kur Fatmir Rexhaj shënoi autogol. Në minutat shtesë të dyja ekipet patën mundësi për të shënuar golin, por në vend të rrjetës qëlluan shtyllën. Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave zhvillohen të dielën.