Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të dakordohen sot në Bruksel sa i përket reciprocitetit për targa dhe dokumente.
Kështu ka bërë të ditur shefi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell në një konferencë për medie të mbajtur pas dy takimeve trepalëshe që zhvilloi me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, Borrell ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe se ende ka kohë deri më 1 shtator, kur do të hyjë në fuqi vendimi i Kosovës për reciprocitet për lëshim të dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit serbë.
“Ne pamë rritje tensionesh për vendimin e targave dhe dokumenteve, komuniteti ndërkombëtar s’do të shohë eskalim të situatës dhe palët do të jenë përgjegjëse për të. Ne nuk arritëm marrëveshje sot, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator”, tha ai.
Shefi i Politikës së Jashtme u shpreh se dy liderëve ua ka kujtuar se takimi i thirrur sot s’është i rregullt, por është takim në kohë krize.
“Nuk ishte takim normal, nuk ishte i rregullt, bashkë me Emisarin Lajçak, të cilin dua ta falënderoj për punën e mirë. Këtë takim e thirrëm sepse u ballafaquam me ngritje tensionesh në veri. U thashë dy liderëve ky ishte një takim në kohë krize dhe qëllimi ishte të qetësojmë situatën në terren”, tha ai.
Ai tha po ashtu se Kurti dhe Vuçiq do ta kenë përgjegjësinë për çdo eskalim situate në veri.
“Mund të themi se ky takim ishte për përgjegjësinë e dy liderëve për të gjetur zgjidhje në mirëbesim për siguruar paqen dhe stabilitetin në veriun e Kosovës. Kjo ndodhi në kohën kritike të Evropës, me rikthimin e luftës në kontinentin tonë në Ukrainë dhe ky s’është moment për të ngritur tensione, por për të gjetur zgjidhje”, tha Borell para gazetarëve.