Policia e Shqipërisë ka reaguar pasi një automjet që iu vodh ministrit të Mjedisit, Liburn Aliua u tentua të kalohej në pikën kufitare të Morinës nga autori i vjedhjes.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një 43-vjeçar me iniciale B. S., banues në Obiliq, Kosovë.
Automjeti tip “Audi A3” me drejtues 43-vjeçarin u kalua në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm gjatë kontrolleve me përzgjedhje në kufi.
Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror.
43-vjeçari u vu në pranga për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Kurse portali Demokracia.com ka raportuar më herët se Ministrit Liburn Aliut, mbrëmë i është vjedhur vetura zyrtare, Audi A3.
Sipas mediumit ministri Aliu sot është intervistuar në mëngjes nga Policia e Kosovës, pas insistimeve që ai të jep deklaratë, pasi që ishte munduar fillimisht që si çështje t’ia linte tërësisht logjistikës që ta menaxhonte.
Sot në mëngjes ishte paraqitur vetë në polici shoferi i ministrit Liburn Aliu, P. Th., i cili kishte deklaruar se mbrëmë rreth orës 22:30-22:45, ministri Liburn Aliu kishte parkuar veturën e tij zyrtare Audi A3, ngjyrë e zezë me targa zyrtare 3Z-***, në parkingun e kësaj ministrie. Ndërsa, në orët e hershme të mëngjesit, rreth orës 04:30, mësohet se ishte telefonuar edhe përgjegjësi për veturat e kësaj ministrie, B. C. nga ana e Policisë së Kosovës, pasi që në Pikën Kufitare “Qafë e Morinës” ishte ndalur vetura zyrtare e ministrit Liburn Aliu nga ana e zyrtarëve policorë, pas dyshimeve në vozitësin e veturës.