Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ku tha se është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria të vazhdojnë t’i koordinojnë dhe bashkërendojnë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Konjufca po ashtu tha se dy shtetet me vendosmëri e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten.
“Kosova dhe Shqipëria ndajnë organikisht dhe në mënyrë natyrale të njëjtat vlera. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë t’i koordinojmë dhe bashkërendojmë sa më mirë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët”, ka thënë Konjufca.
Ai tha se interesi ynë parësor mbetet integrimi euroatlantik.
“Shtetet tona po ashtu me vendosmëri e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten në anën e mbarë të historisë, të së drejtës dhe demokracisë. Interes yni parësor, vullnet, vizion dhe orientim i qartë deri në pikëmbërritje mbetet integrimi euroatlantik dhe askush nuk mund t’i zhvendosë shqiptarët nga kjo rrugë”, u shpreh kryeparlamentari, Glauk Konjufca.