Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatin që ia dha Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, ka qenë i pritshëm për të, Qeverinë në detyrë dhe Vetëvendosjen.
I ftuar në Interaktiv ë KTV-së, Sveçla tha se Thaçi së bashku me opozitën u munduan të bëjnë një lojë me skenar, por që nuk iu ndezi.
“Presidenti Thaçi së bashku me opozitën u munduam ta bëjnë një lojë, ku dekretin e shpallën 5 minuta para orës 16:00 dhe një ditë para festës në mënyrë që t’ia lidhin kyrt kësaj pune, siç thotë populli dhe deshën që të shtunën ta votojnë qëverinë. Por kjo po tregohet se ishte një hap jo i logjikshëm dhe jolegal”, tha Sveçla.
Ai tha se Qeveria në detyrë ishte e përgatitur për këtë skenar, siç e quajti ai.
“Kanë pritur të na zënë në befasi, por ishim të përgatitur për këtë lloj skenari. Është fatkeqe çfarë lloj lidershipi kemi, përplot skenarë, nuk do t’i kishte hije asnjë të rrituri, e jo më e një lidershpi. Do t’i ngjante një ‘banane republike’ po të pranohej ky skenar, do të shkaktonte pakënaqësi të mëdha. Jemi të kënaqur dhe tash presim vendimin final të Gjykatës”, tha ai.
Svceçla pret që edhe vendimi final do të jetë në linjë me këtë që sot ishte i përkohshëm dhe vlen deri më 29 maj.
“Në qoftë se bazohemi në letra, fakte e dokumente, atëherë presim një vendim të ngjashëm për çështjen në tërësi, pasi kemi dokumetuar përmes ekipit të juristëve se hapat e presidentit janë shkelje pas shkelje e Kushtetutës”, ka vlerësuar ai.
Svceçla ka folur edhe për atë që sot bëri bujë në media, përmendja e Kushtetutës së Serbisë në ankesën që u dorëzua në Kushtetuese.
Sipas tij, ajo ishte përmendur në raport me presidentin.
“Ne nuk iu kemi referuar Kushtetutës së Serbisë në raport me VV-në, por në raport me sjelljet e presidentit të Kosovës. Ai thuajse harronte që Kosova ka Kushtetutë”, ka thënë Sveçla, i cili beson se edhe vendimi final i GJK-së do të jetë në favor të Qeverisë në detyrë.
“Unë besoj se ata (gjyqtarët) do të marrin një vendim, se nuk do të bien në presionin e presidentit që në mes të lojës t’i ndërrojnë rregullat”, tha ai.