Punimet për ndërtimin e Autostradës “Arbën Xhaferi” e cila është lëshuar për qarkullim nga 29 maji i vitit 2019, kishin filluar në vitin 2014, por mungesa e mjeteve financiare kishte bërë që punimet për ndërtimin e saj të vonoheshin për rreth gjashtë muaj.
Autostrada që e lidh Prishtinën me Shkupin, e cila më vonë është emëruar me emrin e njërit prej figurave të shquara shqiptare “Arbën Xhaferi” kishte filluar si ide në vitin 2007 dhe nënshkrimi i kontratës me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel-Enka” ishte bërë tek më 1 korrik të vitit 2014, në kohën kur ministër i Infrastrukturës ishte Fehmi Mujota.
Pastaj ishte vazhduar edhe në kohën e Lutfi Zharkut dhe shumica e punimeve ishin përfunduar në kohën e ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, shkruan Telegrafi.
Kjo autostradë e cila është projekti më i rëndësishëm pas Rrugës së Kombit, që e lidh Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë, është zhvilluar si ide, por edhe si projekt në tri qeveri të Kosovës, Qeveria Thaçi 2, Qeveria Mustafa dhe Qeveria Haradinaj.
Autostrada “Arbën Xhaferi” me gjatësi prej 65.5 kilometra në fillim ishte thënë se buxhetit të vendit do t’i kushtonte rreth 600 milionë euro, por në fund kostoja e saj ka shkuar në 706 milionë euro, pra mbi 106 milionë euro më shumë sesa planifikimet.
Pra një kilometër autostradë sipas një përllogaritje të thjeshtë në këtë rrugë e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë Veriore dhe korridorin 10, ka kushtuar 10.77 milionë euro.
Më 1 korrik të vitit 2014, Ministria e Infrastrukturës e cila drejtohej nga Fehmi Mujota kishte njoftuar nëpërmjet një komunikate se kostoja fikse e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit do të kushtonte afër 600 milionë euro.
“Ministria e Infrastrukturës bën të ditur sot (1 korrik 2014) se Projekti i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit do të realizohet bazuar në standardet ndërkombëtare dhe ka një çmim fiks prej 599,944,263.54 euro”, ishte thënë në komunikatën për media.
Karakteristikë tjetër e Autostradës “Arbën Xhaferi” është se ajo ka urën më të gjatë në rajon me një gjatësi prej 5.7 kilometra pa ndërprerje, kurse lartësia e urës gjarpërore është 83 metra.
Koston e Autostradës e ka rritur për miliona euro mos planifikimi dhe pamundësia e pagesës për kryerjen e punimeve nga kompania Bechtel-Enka në kohën e ministrit Lutfi Zharku, e që Qeveria e Kosovës, kishte pësuar penallti duke “u gjobitur”, nga kjo kompani në shumë prej 53 milionë euro, shumë e cila duhet të paguhet deri më 1 qershor.
Por pavarësisht kryerjes së punimeve dhe lëshimit në qarkullim të Autostradës “Arbën Xhaferi”, kostoja e saj mund të rritet për shkak se Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe ndërtimin e dy kyçjeve të reja një për banorët e Ferizajt dhe tjetrën për banorët e Vitisë, punët do të kryhen jashtë kontratës aktuale, tash me një negocim me kompaninë Bechtel-Enka, për kryerjen e këtyre punimeve.
Ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Shkup ka zgjatur për pesë vite, krahas “Bechtel-Enka”-s, kanë punuar edhe 900 kompani vendore me gjithsej 9449 punëtorë, duke u bërë gjenerues i madh i vendeve të punës për gjysmë dekade.
Megjithatë, përfaqësuesit e 25 kompanive vendore, pak ditë pa u lëshuar për qarkullim Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit kishin protestuar kundër kompanisë “Bechtel-Enka” duke kërkuar borxhet prej afër 1 milion euro, që pretendojnë se u kishte mbetur kjo kompani atyre për punët e kryera në këtë autostradë.
Pas përfundimit të punimeve në pjesën e Republikës së Kosovës, për ketë autostradë moderne, tash i mbetet që edhe Maqedonisë së Veriut ta përfundojë edhe segmentin rrugorë Bllacë-Shkup, me gjatësi prej 14 kilometrave që pritët të kushtojë me një kosto prej 1milion e 700 mijë eurosh.
Përveç përfundimit të Autostradës së Kombit dhe Autostradës “Arbën Xhaferi” janë duke u zhvilluar punimet edhe në Autostradën për Gjilan. Veç këtyre, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar edhe fillimin e punimeve për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.
Kjo autostradë do të ketë shtrirje Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren me një gjatësi prej 92-97 kilometra me një kosto prej rreth 1 miliard euro, bashkë me shpronësime dhe koha e përfundimit pritet të jetë brenda katër viteve nga koha e fillimit.