Real Madridi dëshiron ta fillojë edicionin e ri në të njëjtën mënyrë siç e përfundoi të shkuarin – duke fituar trofe.
Reali në ndeshjen e fundit të edicionit të shkuar e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve, ndërsa të mërkurën e nis kampanjën e re duke u përballur me fituesin e Ligës së Evropës, Eintracht Frankfurtin, në duelin e Superkupës së Evropës. Kjo ndeshje nis në orën 21:00 dhe luhet në Helsinki të Finlandës.
Do të jetë takimi i parë zyrtar i këtyre dy skuadrave që nga finalja e Kupës Evropiane e vitit 1960, kur Madridi fitoi titullin e pestë evropian me një fitore bindëse, 7:3, në stadiumin “Hampden Park” në Glasgow.
Ferenc Pushkash shënoi katër gola për Madridin dhe Alfredo Di Stefano realizoi “hat-trick”. Rreth 127,000 tifozë ndoqën ndeshjen në atë që është ende pjesëmarrja më e lartë për një finale të Kupës Evropiane.
Real Madridi është në kërkim të trofeut të pestë të Superkupës, dhe të parit prej vitit 2017. Ndërsa Frankfurti po paraqitet për herën e parë në këtë ndeshje, falë triumfit ndaj Glasgowit në finalen e Ligës së Evropës, pas gjuajtjes së penalltive. Me atë trofe, Frankfurti i dha fund pritjes 42-vjeçare për sukses në garat evropiane.
Skuadra nga La Liga e mbylli edicionin e shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi e fitoi edhe titullin e kampionit të Spanjës. Ndërsa në finalen e Championsit triumfoi ndaj Liverpoolit për trofeun e 14-të të Evropës.
“Frankfurti e ka merituar triumfin në Ligën e Evropës, pasi ka mposhtur skuadra shumë të forta. Është një ekip dinamik të cilin e njoh shumë mirë prej kohës kur kam punuar te Bayerni. Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe jemi të bindur se do të fitojmë. Pas suksesit në Champions, ne duam të vazhdojmë me trofe edhe në edicionin e ri”, ka thënë trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, në konferencën për shtyp të martën. “Do të bëjmë të pamundurën për të fituar. Nuk do të jetë lehtë, por do të luftojmë edhe për këtë trofe të rëndësishëm. Gjithmonë është e veçantë të fitosh. Nëse fitojmë do të jem shumë i lumtur dhe shpresoj që së bashku me ekipin të festojmë”.
Skuadra e Ancelottit nuk do të ketë shumë ndryshime për sezonin e ri. Do të udhëhiqet nga sulmuesi Karim Benzema, i cili pati formën më të mirë në karrierë edicionin e shkuar. Vinicius Junior dhe Rodrygo do ta mbështesin Benzeman nga krahët sikurse sezonin e shkuar, ndërsa mesfusha mbetet e paprekur me Casemiron, Luka Modriqin e Toni Kroosin. Përforcimet e Realit për sezonin e ri vijnë në qendër të mbrojtjes me Antonio Ruedigerin dhe në mesfushë me Aurelien Tchoumenin.
“Rruga për të ardhur deri këtu nuk ka qenë aspak e lehtë, sepse është dashur të eliminojmë skuadra të forta në Champions. Jemi përgatitur mirë dhe si kampion të Evropës duam ta fitojmë edhe këtë trofe për ta konfirmuar suksesin e sezonit të shkuar. Po ashtu, triumfi në këtë ndeshje do të jetë edhe paralajmërim për sezonin e ri”, është shprehur sulmuesi Benzema.
Isco Alaroón dhe Gareth Bale u larguan pas skadimit të kontratave të tyre, por klubi nuk i zëvendësoi ata pavarësisht zhgënjimit pas dështimit për të nënshkruar me Kylian Mbappe nga Paris Saint-Germaini. Në vend të kësaj, Madridi shpreson për një tjetër sezon mbresëlënës nga 34-vjeçari Benzema. Sulmuesi i Francës ishte golashënuesi më i mirë në ligën spanjolle dhe Champions League. Ai shënoi 44 gola në 45 ndeshje me Madridin dhe barazoi Raul Gonzalezin si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit me 323 gola, pas Cristiano Ronaldos (451).
Benzema shënoi dy herë në dy ndeshjet e tij parasezonale – një barazim 2:2 me klubin meksikan America dhe një fitore 2:0 ndaj Juventusit – dhe nuk luajti në humbjen 1:0 të Realit ndaj Barcelonës.
“Në çdo sezon mundohem të jap më të mirën për këtë klub i cili është më i miri në botë. Te Reali është e natyrshme që kërkohet gjithmonë trofetë, kështu që do të bëjë të pamundurën për ta ndihmuar ekipin jo vetëm ndaj Frankfurtit por edhe në sezonin e ri”, ka shtuar Benzema.
Pas duelit me Frankfurtin, Real Madridi do të ketë ndeshjen e parë në La Liga të dielën në udhëtim te Almeria.
Për dallim prej Realit, sezoni i Frankfurtit tashmë ka filluar. E nisi me fitore në Kupën e Gjermanisë, përpara se të pësojë humbje të thellë në xhiron e parë të Bundesligës. U mposht 6:1 nga Bayern Muencheni.
Frankfurti nuk kishte fituar trofe evropian që nga viti 1980. Titullin e kampionit të Gjermanisë e ka fituar në vitin 1959 për herë të fundit dhe që nga ajo kohë ka edhe pesë Kupa të Gjermanisë, të fundit në vitin 2018. Ndaj Real Madridit, Frankfurti do të ketë një mungesë të rëndësishme në ekip. Sulmuesi i krahut, Filip Kostiq, që ishte prej më të merituarve për suksesin në sezonin e fundit, nuk ka udhëtuar me ekipin. Kostiq pritet t’i bashkohet Juventusit dhe ka mbetur në Gjermani për t’i finalizuar detajet e kontratës me ekipin nga Serie A.
“Me padurim po e presim këtë ndeshje, e cila është shpërblim për triumfin në Ligën e Evropës. Përballemi me Real Madridin dhe do të përpiqemi ta shijojmë në maksimum. Sigurisht që do të japim më të mirën për të fituar, ndonëse do të jetë shumë vështirë”, është shprehur trajneri i Frankfurtit, Oliver Glasner.
Ndeshja në Stadiumin Olimpik të Helsinkit do të jetë finalja e parë për klube të UEFA-s që do të mbahet në Finlandë, megjithëse vendi më parë organizoi edhe finalen e Kampionatit Evropian të femrave në vitin 2009. Teknologjia gjysmë e automatizuar për pozitë jashtë loje do të përdoret për herë të parë në një garë evropiane për klube. Sistemi i ri funksionon me kamera që mund të gjurmojnë 29 pika të ndryshme të trupit të lojtarit dhe do të mundësojë që rishikimi i videove të përcaktojë situatat për pozitë jashtë loje më shpejt dhe më saktë, sipas UEFA-s. Sistemi u testua në “Euro 2022” për femra në Angli dhe në Champions sezonin e kaluar. Është miratuar edhe nga FIFA për Kupën e Botës në Katar.