Kryeministri Albin Kurti tha se ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale.
I pyetur nëse masat e paralajmëruara mund të bien ndesh me Kushtetutën, Kurti tha se duhet të gjejnë diçka ndërmjet për të ndërhyrë. Ai foli për masën e re për punësimin, në mënyrë që të ketë së paku nga një të punësuar për familje.
“Së pari, ne e respektojmë edhe kushtetutshmërinë, edhe ligjin, por në të njëjtën kohë na duhet që t’u dalim në ndimë qytetarëve. Ju e keni parë që unë kam paralajmëruar që nesër ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Z. Hekuran Murati do të dalë dhe do ta shpjegojë hollësisht skemën e punësimit të garantuar e cila po materializohet, po konkretizohet me masën tonë më të re, që është ndihma prej 70% e pagës bruke (maksimum deri në 300 euro) për 6 muaj rrjesht për këdo që është i papunë, punësohet e nuk e ka askënd të punësuar në familjen e vet”, tha ai.
“Ju e dini shumë mirë që ne jemi zotuar që çdo familje ta ketë një të punësuar dhe këtë po e bëjmë”, shtoi Kurti.
Ai tha se po diskuton me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati për masat ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale.
“Ministrat Murati dhe Hajdari, unë si kryeministër, jemi në komunikim të vazhdueshëm që të sjellim masa që e ndihmojnë më së shumti qytetarin, por pa e shkelë as kushtetutshmërinë, e as ligjin. Këto do t’i shihni ditëve në vijim, por ju e keni parë që ka dhënë rezultate çmimi tavan për naftën”, tha Kurti.
Kryeministri tha se nga organet shtetërore dhe ekspertët po provojnë ta gjejnë “mënyrën më të mirë që edhe të mos e shkelim ligjin, edhe t’u ndihmojmë qytetarëve”.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha ditë më parë se në disa vende është shtrenjtuar buka, pacarësisht se çmimet e grurit dhe miellit “kanë rënë për 7%”.
Hajdari tha se po e analizojnë situatën në treg dhe lëvizjen e çmimeve të produkteve esenciale ndërsa njoftoi se e kanë krijuar një grup të dytë punues për masën ligjore për produktet esenciale.
Ky grup do të analizojë se çfarë masa ligjore duhet të merren për produkte si gruri, mielli, buka, sheqeri, orizi, kripa, vezët, sapuni, etj.