Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se bashkë me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, e kanë bërë furnizimin me barna në Qendrën Kryesore Familjare në Han të Elezit, në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, për shkak të dyshimeve për helmim nga uji i pijes.
Përvec, në komunën e Hanit të Elezit, Msh-ja ka bërë furnizimin me barna edhe në komunën e Kacanikut, për shkak të helmimit të qytetarëve nga uji i kontaminuar.
Në njoftimin e saj, Msh-ja, ka treguar për llojet e furnizimeve dhe sasinë e tyre në dy komunat e lartcekura:
Nga SP Ferizaj për QKMF Kaçanik (Furnizimi me datën 08.07.2022)
- Ringer sol 500 copë,
- NaCl 500ml 700 copë,
- Kanilla 22G 1000 copë,
- Hyoscine amp. 120 copë,
Nga QKUK per QKMF Hani i Elezit (Furnizimi me datën 12.07.2022)
- NaCl 500ml 500 copë,
- Hyoscine amp. 60 copë,
- Metoclopramide amp. 150 copë.
Po ashtu, Msh-ja ka bërë të ditur se komunat e tjera si ajo e Vitisë dhe Ferizajit, janë në gjendje gatishmërie për ta ndihmuar komunën e Hanit të Elezit, deri sa situata të qetësohet, pas dyshimeve për helmime nga uji i pijes.
Nga data 10 dhe 11 korrik të këtij viti, në komunën e Hanit të Elezit, janë paraqitur për ndihmë mbi 100 persona, me simptoma të njëjta sic janë, barkqitja, vjellja dhe temperatura.
Sipas IKShPK-së, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë është shtuar kur edhe është lëshuar në përdorim edhe një burim i ri i ujit të pijshëm për të cilin dyshohet se është i kontaminuar.
Sipas këtij institucioni, nga mostrat ujit të cilat janë marrë për analiza fiziko-kimike, “përveç turbullirës në dy raste rezultojnë brenda parametrave normale”.
IKShPK, u ka bërë thirrje qytetarëve të komunës së Elez Hanit, që uji para përdorimit të vlohet.