Newcastle United thuhet se është i interesuar të nënshkruajë me sulmuesin e Chelseat, Armando Broja, në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të kësaj vere.
20-vjeçari e kaloi sezonin 2021-22 si i huazuar te Southamptoni, duke gjetur golin në nëntë raste në 38 paraqitje për Saints, përveç kontributit të një asistimi.
Broja është shumë i vlerësuar në Chelsea dhe ka ende katër vite të tjera për të përfunduar kontratën e tij në Stamford Bridge, por është e paqartë nëse ai është në planet e Thomas Tuchel për sezonin e ardhshëm.
West Ham United është aktualisht skuadra favorite për sulmuesin, i cili ka shënuar katër herë në 14 paraqitje për Shqipërinë.
Megjithatë, sipas Sky Sports News, Newcastle tani është futur në garë për të, me Magpies të prirur për të diskutuar një marrëveshje huazimi për sezonin 2022-23.
Raportimi pretendon se Chelsea dëshiron që Broja të bëjë një para-sezon të plotë me ta përpara se të marrë një vendim për të ardhmen e tij, me Blutë që aktualisht nuk kanë opsione në sulm.
Romelu Lukaku është rikthyer te Interi në formë huazimi për sezonin 2022-23, ndërkohë që ka pasur spekulime rreth të ardhmes së Timo Werner.
Broja kaloi kohë me Tottenham Hotspur si i ri, por u transferua te Chelsea në vitin 2009, duke përparuar përmes sistemit të të rinjve në klub përpara se të nënshkruante një kontratë profesionale në shkurt të vitit 2020.
Shqiptari ka bërë vetëm një paraqitje në ekipin e parë për gjigantët e kryeqytetit, ku u shfaq kundër Evertonit në mars 2020, por ai nënshkroi një marrëveshje të re pesëvjeçare përpara se të largohej në huazim verën e kaluar.
Broja gjithashtu pati një periudhë të suksesshme huazimi te Vitesse gjatë sezonit 2020-21, duke arritur të gjente rrjetën në 11 raste në 34 paraqitje në të gjitha garat. /Telegrafi/