Ish-drejtori i Barcelonës, Toni Freixa, ka akuzuar drejtuesit aktualë të klubit nga La Liga se po mashtrojnë tifozët duke paralajmëruar transferimin e lojtarëve të mëdhenj, ka shkruar “Daily Mail” të mërkurën.
Freixa ka insistuar se asnjëri prej lojtarëve që po i përmend Barcelona nuk do të transferohet gjatë kësaj vere në “Camp Nou” për shkak se klubi është i zhytur në telashe të mëdha financiare. Kohët e fundit, Barcelona ka qenë e lidhur me disa emra të profilit të lartë, si Robert Leëandowski, Raphinha, Bernardo Silva e Jules Kounde. Freixa ka insistuar se vështirësitë financiare të mirëdokumentuara të klubit paraqesin një pengesë për arritjen e marrëveshjeve me lojtarët e lartpërmendur, duke pasur parasysh dëmshpërblimet që kërkojnë klubet e tyre.
Bayerni për ta lënë të lirë Lewandowskin po kërkon 50 milionë euro, Manchester City rreth 60 milionë euro për Bernardon, sa po i kërkon edhe Leeds Unitedi për Raphinhan. Ndërsa Sevilla i ka fiksuar çmimin në vlerë prej 80 milionë eurosh për Kounden. Avokati katalonjas ndau një postim në Twitter me më shumë se 56,000 ndjekës duke i paralajmëruar ata se yjet që supozohet se Barcelona po ndjek nuk do të transferohen.
“Po besoj se të gjithë e dini që Lewandowski, Kounde, Raphinha, apo Bernardo Silva nuk do të vijnë? E dini, apo jo?”, ka shkruar Freixa.
Freixa, i cili ishte një nga kandidatët për president të klubit, më vonë mbështeti komentin e tij për “Cadena COPE”, pasi ai akuzoi klubin se po u “shet tym tifozëve” me paralajmërime të tilla.
“Unë nuk i blej bisedat për transferimet e Barcelonës. Ata po shesin paturpësisht tym. Ajo që thonë bie ndesh me realitetin dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i paralajmëroj tifozët se kjo nuk do të ndodhë”, insistoi Freixa. “Dikush mund të vijë në rast se një lojtar shitet. Mirëpo, lojtarët që po i përmend klubi janë pothuajse të arritshëm për shkak të dëmshpërblimeve të larta që i kërkojnë klubet e tyre. Klubi vetëm po krijon iluzion”.
Komentet e Freixas ishin një sulm i qartë për menaxhimin e klubit nga presidenti i Barcelonës, Joan Laporta. Laporta ka insistuar ditë më parë se Barça do të jetë në gjendje të bëjë transferime këtë verë.
“Së shpejti do të keni lajme për nivelizimin ekonomik. Në parim do të bëhen dy ose tri marrëveshje për të na dhënë fonde, për të shlyer borxhin dhe për të bërë investime për ta bërë ekipin më të fortë”, ishin fjalët e Laportas.
Çështjet financiare të Barcelonës janë të dokumentuara mirë dhe ato janë subjekt i kufizimeve në shpenzime, pasi klubi ka shkelur limitin e pagave. Ata mund të riinvestojnë në skuadër vetëm një të tretën e asaj që bëjnë përmes shitjeve të lojtarëve ose të kursejnë në paga. Kjo pavarësisht se anëtarët e klubit votuan javën e kaluar për të çliruar para duke shitur një pjesë të të drejtave televizive të klubit.
Ndërsa Barcelona kërkon të shesë lojtarë për të financuar shpenzimet e saj verore, klubi ka vendosur një çmim prej 80 milionë eurosh për objektivin e Manchester Unitedit, holandezin Frenkie de Jong. Unitedi ka ofruar dhjetë milionë më pak për mesfushorin, por te Barcelona nuk po bie në çmim dhe dëshiron të rikuperojë sa më shumë nga 85 milionë eurot që ia pagoi Ajaxit për lojtarin në vitin 2019.
Katalonjasit thuhet se po fajësojnë rregullat financiare të La Ligas për tarifën, duke këmbëngulur se ata nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse t’ia caktojnë çmimin holandezit De Jong.