Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se një koalicion i ri, i lidhur mes LDK-së dhe partnerëve të tjerë, është kthesë e madhe prapa, në krahasim me koalicionin VV-LDK.
Sipas saj, lënia e fushës së Arsimit, AAK-së, është gabim.
“Lënia e arsimit partisë që nxori Kosovë nga ENQA dhe EQAR, dhe ndërhyrjet e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në bord të Agjencisë për Akreditim ishin flagrante, sollën Kosovën në standard tejet të ulët. Vazhdon të ulet standardi. Është për keqardhje të ketë ndryshim të tillë për kaq pak kohë, kur kemi parë ministren Hykmete Bajrami dhe zëvendësit me performancë të shkëlqyer në kohë të jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Sipas saj, edhe pse një nga pikat e marrëveshjes parasheh të merren masa ndaj koronavirusit, një koalicion i tillë “është veç përkeqësim”.
“Unë konsideroj se ndërrimi i qeverive në këtë situatë e këto rrethana do të përkeqësojë edhe më shumë e në veçanti fushën e arsimit”, ka thënë ajo.
Lista e emrave me të përfolurit për ministra në Qeverinë e re, sipas Kusari-Lilës, është kthesë tjetër prapa.
“Kemi kthesë të madhe prapa, do ta gjejnë shumë mënyra që ta bëjnë elastike këtë marrëveshje siç kanë bërë me numrin e zëvendësministrave”, ka thënë tutje ajo.