Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, në seancën e sotme të Kuvendit, u ka thënë votuesve e Qeverisë Kurti, duke i quajtur “jugosllavë”.
Në fjalën e tij, Berisha i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti duke i thënë se “20 veteranë janë më të zotë se krejt Jugosllavia jote që ta qesin votën”.
“Kryeministër, nuk është problem financiar puna e veteranëve. Ti çohesh e tregon se sa para harxhohen për veteranët. Asnjë sukses nuk e ke bërë për vendin, asnjë punë nuk e ke kryer. Ti kryeministër, me këto veprime ki me na kthy në pellgun e urrejtjeve”, deklaroi deputeti i AAK-së.
E në përgjigjen e tij, Kurti tha se deputeti Berisha po shpifë në mënyrë që të ketë arsye për ta kritikuar.
“Deputeti flet për Jugosllavinë e ku di unë. Kjo sipas meje flet që duhet të më shtyjë në një ekstrem ku kurrë nuk kam qenë në mënyrë që të më kritikojë. Pra, duhet të shpifë që të më kritikojë sepse ndryshe nuk mundet”.
“Edhe njëherë po e ritheksoj, nesër mund ta zhvilloj takimin dhe ta filloj diskutimin me përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, sot nuk është seanca për pagën minimale. Kjo seancë e Kuvendit duhet të vazhdojë me këtë rend të ditës”. /Telegrafi/