Koronavirusi në Viti, 130 persona në izolim, sot testohen 14 të tjerë për të parë a janë shëruar

52 persona nga komuna e Vitisë janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. 3 rastet e fundit nga kjo komunë u shënuan mbrëmjen e së martës. Ndërkaq sot do të ritestohen 14 persona që janë prekur me koronavirus, për të parë nëse janë shëruar apo jo.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Viti Vjollca Kadolli ka thënë për Express se janë 130 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar në këtë komunë

Ajo ka shtuar se 14 persona tjerë do të ritestohen për të parë nëse janë shëruar nga virusi COVID-19.

“Sot testohen gjithsej 15 persona. 14 janë ritestim, këta persona kanë dalë negativë në testimin e kaluar ndërkaq sot ritestohen për të parë nëse janë shëruar apo jo. Ndërkaq rasti tjetër është një qytetar i cili vetë ka kërkuar që t’u nënshtrohet testimeve”, ka treguar Kadolli.

Sipas saj, në Klinikën Infektive të QKUK-së po qëndrojnë të shtrirë 5 banorë të komunës së Vitisë të cilët janë të konfirmuar me COVID-19.

“Në Klinikën Infektive janë 5 persona nga Vitia. Në mesin e tyre është edhe një grua shtatzënë. Kam kontaktuar me ta, gjendjen e kanë stabile”, ka deklaruar Kadolli.

Ajo shtoi se deri më tani nga komuna e Vitisë janë shëruar 7 persona të cilët ishin konfirmuar me koronavirus.

Kadolli bëri të ditur se janë 130 persona të cilët po qëndrojnë të izoluar dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve dhe policisë.

“130 qytetarë po qëndrojnë të izoluar. Janë nën përcjellje të QKMF’së por edhe policisë e organeve tjera. Ata janë familjarë të afërt dhe të largët të të prekurve të mëhershëm”, ka thënë Kadolli.

Ajo shtoi se QKMF’të e Vitisë janë mjaftueshëm të furnizuara me materiale shpenzuese, si maska, dorëza e rroba për stafin mjekësor.

Ndërkohë, numri i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 790.

Nga ta janë shëruar 232, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.

Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.