Pika e tetë e rendit të ditës në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të enjten, sot, do të jetë propozimi i shumëpërfolur i Partisë Demokratike të Kosovës që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja nga Trusti.
Në këtë pikë është paraparë shqyrtimi i parë i projektligjit që i hap rrugë tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti, dy vjet pasi qytetarët patën mundësi të tërheqin nga 10 për qind, atëkohë si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Tash propozimin, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ka arsyetuar me krizën ekonomike nga ngritja e çmimeve.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet është shprehur kundër miratimit të këtij projektligji, duke thënë se është një ide politike.
Për të lejuar tërheqjen e mjeteve të 30% të Trustit ditë më parë është organizuar edhe një protestë, ndërsa edhe sot për në mesditë është paralajmëruar një tjetër protestë që kërkohet të miratohet ky projektligj.
Para dy vitesh ishte lejuar tërheqja e menjëhershme dhe e parakohshme e 10% të kursimeve pensionale. Sipas të dhënave, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.
Sipas të dhënave të Institutit GAP, po që se mundësohet një tërheqje e re, gati gjysma e kontributdhënësve do të mund të marrin mesatarisht nga 96.5 euro.