Organizatat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot, e enjte, do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligji për rritjen e pagës minimale, por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.
Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale.
Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit, me ndonjë përjashtim, së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale… Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. ‘Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik’, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”, u tha në reagimin e këtyre organizatave.
Për Lëvizjen Vetëvendosje veteranët nuk janë përjashtuar nga ligji për pagën minimale pasi, sipas tyre, ndarja e pensionit të veteranit me pagën minimale ka ndodhur vite më parë edhe pse kategorizimi s’është bërë ende.
“Ligji është miratuar për pagën minimale të sektorit privat. Ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016 nga qeveritë paraprake dhe ligjshmëria në pagën minimale është ndarë në atë kohë. Kësaj radhe në trajtim ashtu siç e dini nga Qeveria e Kosovës edhe në dialogun e Këshillit ekonomiko-social është diskutuar vetëm për sektorin privat”, ka deklaruar Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës disa herë ka përmendur edhe pastrimin e listave të veteranëve.
Partitë opozitare, PDK dhe AAK kanë qenë në mbrojtje të veteranëve dhe kërkesave të tyre, duke kërkuar nga Qeveria të tërheqë ligjin dhe ta ridërgojë në Kuvend të korrigjuar.
Për Xhavit Jasharin nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, deputetët të cilët votuan për këtë projektligj janë mjeranë, ndërsa sipas tij në këtë mënyrë serbët ia arritën qëllimin që të godasin luftën e UÇK-së. Jashari, për KosovaPress, nuk e përjashtoi mundësinë që protesta e sotme të vazhdojë deri në realizmin e kërkesës së tyre, që është tërheqja prapa e këtij projektligji.
Veteranët protestuan edhe javën e shkuar para miratimit të këtij projektligji.