City do ta nxjerrë në shitje portierin Muriq


Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, është në mesin e lojtarëve që te Manchester City po planifikojnë t’i nxjerrin në shitje gjatë afatit kalimtar të verës, kanë raportuar mediumet angleze të mërkurën.

City që tashmë e ka transferuar Erling Haalandin, po planifikon edhe blerjen e të paktën dy lojtarëve tjerë, Kalvin Phillipsit e Marc Cucurellas.

E për të krijuar fonde për blerjen e tyre, te City do t’i shesin të paktën shtatë futbollistë, në mesin e tyre edhe Muriq.

Portieri 24-vjeçar ka kontratë me Cityn deri në vitin 2024 dhe dy sezonet e fundit ka qenë i huazuar te Nottingham Foresti, Granada e Adanaspori.

Kartoni i tij vlerësohet rreth tre milionë euro kurse interesim për të ka treguar skuadra e Championshipit, Burnley.