Inflamacioni kronik i shkallës së ulët është një problem i heshtur me simptoma të lehta për t’u identifikuar. Disa prej këtyre simptomave janë, shtimi i peshës, lodhja, dhimbja e nyjave, problemet me lëkurë, problemet me tretje dhe të tjerë, raporton portal “Eat This, Not That”.
Probleme të ndryshme shëndetësore mund t’i shkaktojë këto simptoma dhe një prej tyre mund të jetë inflamacioni kronik i shkallës së ulët, domethënë, kur sistemi imunitar i trupit nxjerrë jashtë substanca inflamatore si një mënyrë për t’u përballur me lëndimet dhe sëmundjet.
Duhet ditur se nuk është gjë e mirë kur inflamacioni zgjatë shumë dhe kryesisht shkaktohet nga zgjedhjet e dobëta të stilit të jetesës. Kjo ngase me kalimin e kohës, inflamacioni kronik i dëmton qelizat e trupit.
Meqenëse inflamacioni kronik i shkallës së ulët është i lidhur ngushtë me gjërat që i fusim në trup, si duhani, kimikalet e ndryshme, mishi i kuq, alkooli, ushqimet me sheqer e të skuqura si dhe ushqimet e përpunuara, ndryshimi i stilit jetësor dhe dietës mund të jetë një mënyrë efektive për ta luftuar inflamacionin. Dhe një nga mënyrat më të lehta për ta arritur këtë, është duke konsumuar pije të cilat sipas shkencës e zvogëlojnë inflamacionin.
Lëng ananasi
Një nga anti-inflamatorët më të fuqishëm është bromelaina, një enzimë që gjendet me bollëk te ananasi. Një përmbledhje e studimeve mbi bromelainën e publikuar në vitin 2021 në gazetën “Foods”, i eksploroi më hollësisht efektet e saj të mundshme terapeutike për trajtimin e kancerit, djegieve, sëmundjeve kardiovaskulare, alergjive, sinusit dhe artritit.
Një arsye pse bromelaina është kaq efektive, është se absorbohet shpejt nga trupi dhe mbetet i fuqishëm për një kohë të konsiderueshme.
Studimet kanë treguar se bromelaina prodhon efekte analgjetike dhe anti-inflamatore te pacientët me artrit reumatoid, si dhe redukton dhimbjen dhe inflamacionin e gjurit te pacientët me osteoartrit. Lëngu i ananasit i marrë pas stërvitjes madje mund ta lehtësojë inflamacionin duke ndihmuar në riparimin dhe lehtësimin e dhimbjes së muskujve, sepse është gjithashtu i pasur me kalium.
Qumësht i ngrohtë me shafran
Shafrani i Indisë është një mëlmesë ngjyrë të verdhë-portokalli që e posedon një përbërës të fuqishëm anti-inflamator të quajtur kurkumin, i cili është treguar se ndihmon në reduktimin e rrezikut të shumë sëmundjeve kronike si dhe në lehtësimin e dhimbjeve inflamatore nga osteoartriti. Pluhuri i shafranit të Indisë është i lehtë për t’u përzier në pije ‘smoothie’ dhe çaj. Por meqenëse kurkumina përthithet më mirë nga trupi kur merret me pak yndyrë, shtimi i qumështit ose avokados në ‘smoothie’ me shafran të Indisë është një opsion i mirë. Ose provoni ta shtoni atë në një gotë me qumësht të ngrohtë dhe pak vaj kokosi.
Çaj i gjelbër
Çaji jeshil është një nga pijet më të shëndetshme që mund t’i pini. Çaji jeshil është i mbushur me antioksidantë që luftojnë sëmundjet, e përmirësojnë djegien e yndyrës dhe e forcojë metabolizmin. Disa studime të ndryshme sugjerojnë se pirja e këtij çaji mund t’i zvogëlojë simptomat e çrregullimeve të ndryshme inflamatore. Studiuesit thonë se polifenolet e çajit jeshil e forcojnë barrierën epiteliale në zorrë dhe mbështesin përbërjen e shëndetshme të mikrobeve të zorrëve, gjë që përmirëson rezultatet për pacientët që vuajnë nga sëmundjet inflamatore të zorrëve.
Çaj xhenxhefili
Hidhni pak rrënjë të freskët xhenxhefili në ujë të nxehtë për ta zbutur inflamacionin kronik. Kjo mëlmesë e shijshme është përdorur me mijëra vjet për t’i qetësuar dhimbjet e stomakut. Përveç vetive anti-inflamatore, studiuesit thonë se xhenxhefili funksionon edhe si analgjetik.
Lëng qershie
Lëngu i qershive është i dobishëm për reduktimin e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, sepse studimet tregojnë se ndihmon në uljen e presionit të gjakut dhe kolesterinës së keqe. Një studim i vitit 2019 i publikuar në gazetën “Nutrients”, sugjeron që efektet e shëndetshme për zemrën mund t’i atribuohen pjesërisht vetive antioksiduese dhe anti-inflamatore të lëngut të qershive.